Faza e re dialogut me Serbinë kërkon kornizë të qartë e ekspertizë më të mirë

Rezultati i dialogut me Serbinë varet nga përgatitjet që bëjnë palët në këtë proces. Njohësit e negocimit ndërkombëtar dhe politikave në vend thonë se Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme gjatë dialogut për temat dhe përzgjedhjen e ekipeve që do të negociojnë.

Në këtë kuadër, sipas tyre, e rëndësishme është që në tavolinat e negocimit të ketë ekspertë të fushës.

Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme për fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë, e cila parasheh normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet. Valon Murtezaj, profesor i negocimit ndërkombëtar dhe diplomacisë, flet për Radio Kosovën mbi parimet që duhet pasur parasysh udhëheqësit e procesit të dialogut.

“Duhet të jenë të qarta prioritetet e temat që duhet të avancohen në tavolinën e bisedimeve, duhet shumë më shumë t’i kushtohet rëndësi formimit të ekipeve shumë profesionale brenda Kosovës, duhet të alokohen shumë më shumë mjete financiare dhe ne duhet të merremi me këtë çështje. Nuk është dialogu vetëm dy ditë biseda në Bruksel, dialogu është gjatë tërë vitit, e madje edhe disa vite. Dhe ne duhet të jemi të qartë se çfarë mund të bëhet koncesion, e çfarë nuk mund të bëhet koncesion”, ka thënë Murtezaj.

Profesor Murtezaj, i cili vjen nga fusha e negocimit ndërkombëtar, thotë se, sa më e përgatitur që është pala aq më shumë përfitohet nga një proces negociator. Ai tërheq vëmendje në kujdesin nga koncesionet që e rrezikojnë sovranitetin e Kosovës, apo funksionimin si shtet.

“Sa më i përgatitur që je, sa më mirë që e di se çfarë do në tavolinën e negocimit, sa më i aftë që je në gjenerimin e alternativave në tavolinën e negocimit, aq më shumë gjasa ke që të përfitosh nga një proces negociator. Dhe e kundërta, as më pak i përgatitur, sa më pak që e di se çfarë do, aq më shumë koncesione do të bësh në tavolinën e negocimit”, tha ai.

Negocimi përveç që është punë e politikanëve dhe e qeveritarëve , në radhë të parë është punë profesionale, prandaj është e rëndësishme që të krijohen ekipe të fuqishme të ekspertizës, thotë Murtezaj.

“Natyrisht politikanët iu prijnë proceseve, mirëpo puna në teren, puna e dokumentacionet, skicat përgatitore për negociata, propozimet, alternativat dhe opsionet, janë pjesë e ekspertizës, dhe ne duhet që, prej secilës fushë të marrim apo të përfshihen ekspertë, është e vetmja mënyrë për të gjeneruar benefit me të madh për çfarëdo lloj procesi negociator”.

Edhe Naim Rashiti, analist nga Grupi i Ballkanit për politika, thotë se faza e re dialogut me Serbinë duhet të ketë përgatitje më të mirë dhe një kornizë më e të qartë karshi Beogradit.

“Është shumë pak me rëndësi se kush do ta udhëheqë procesin e dialogut nga pala kosovare. Më e rëndësishmja është që të ketë një bashkërendim të qëndrimeve, politikave dhe parimeve nga ana e institucioneve dhe politikës, për të krijuar një situatë të re dhe një konsensus të përafruar se si e parashohim dhe çfarë duam nga kjo fazë finale e dialogut. Kjo fazë është shumë me rëndësi, sepse nga ajo se çfarë nënshkruan Kosova, do t’ia mundësojë Serbisë të hyjë në BE”, ka thënë ai.

Ndryshe Serbia ka nisur dialogun e brendshëm për Kosovën, proces i cili po përfshin forcat politike, akademikët, funksionarët shtetërorë, aktivistët e shoqërisë civile si dhe qytetarët e thjeshtë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme