FDH bën përgjegjës shtetin serb për dëbimin e kroatëve nga Vojvodina

Fondi për të Drejtën Humanitare ka publikuar një dosje e cila përmban të dhëna për dhunën e ushtruar ndaj kroatëve të provincës autonome të Vojvodinës nga viti 1991-1995, në masë të madhe nga radikalët serbë, të udhëhequr nga kreu i Partisë Radikale Serbe (SRS), Vojisllav Sheshel.

Dosja e publikuar nga FDH thotë se në territorin e provincës autonome të Vojvodinës, u zhvillua një fushatë kërcënimi dhe presioni ndaj civilëve kroatë me qëllim të detyrimit të tyre që të largohen nga shtëpitë e tyre, si dhe nga Serbia.

FDH thotë se fushata, intensiteti i së cilës ndryshoi dhe arriti kulmin më të lartë në pjesë e dytë të vitit 1991, nga pranvera deri në vjeshtën e vitit 1992 dhe në verën e vitit 1995, rezultoi në dëbimin e disa dhjetëra mijëra kroatëve nga Vojvodina.

“Dhuna kundër kroatëve në Vojvodinë përfshiu sulme ndaj pronave të tyre private dhe ndërtesave religjioze, si dhe kërcënime, sulme fizike dhe vrasje. Vojisllav Shesheli dhe Partia e tij Radikale Serbe (SRS) ishin avokuesit dhe inspiruesit kryesorë të fushatës së kërcënimit dhe presionit ndaj popullatës kroate në Vojvodinë. Përndjekja e familjeve kroate u krye nën presionin e grupeve të ndryshme pranë SRS-së, i përbërë nga popullata lokale, një pjesë militante e refugjatëve serbë nga Kroacia dhe nga anëtarë të njësive vullnetare nga Serbia që kishin marrë pjesë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë”, thuhet në raportin e FDH-së, raporton Koha.net.

Më tej, në raportin e FDH-së thuhet se kjo fushatë e frikësimit u bë me vetëdijen dhe miratimin e heshtur të strukturave politike të Republikës së Serbisë.

“Dëshmitë e paraqitur në këtë Dosje tregojnë se në disa raste të dhunës kundër kroatëve, kanë marrë pjesë edhe persona nga Ministria e Punëve të Brendshme (MUP) e Republikës së Serbisë. Veç kësaj, në dëbimin e dhunshëm të kroatëve të Vojvodinës, Departamenti Shtetëror i Sigurisë (RDB) i MUP-it të Republikës së Serbisë ka luajtur rol domethënës”, thotë më tej FDH në raport.

Në periudhën mes dy proceseve të regjistrimit të popullatës, më 1991 dhe 2002, numri i kroatëve dhe pjesëtarëve të popullatave tjera jo-serbe në territorin e Vojvodinës, sipas FDH-së, ishte ulur dukshëm.

“Numri i kroatëve ishte ulur në 39 nga 45 komunat e Vojvodinës; dhe në mbarë territorin e tërë Vojvodinës, numri i kroatëve nga për 18,262, gjegjësisht për 24.41%”, thekson raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare.

Në këtë Dosje, janë prezantuar dëshmi të ngjarjeve në komuna të caktuara të Vojvodinës (Ruma, Shidi, Stara Pazova, Ingjia, Petrovaradin dhe Apatin), duke treguar se sa i fuqishëm ka qenë presioni ndaj kroatëve për të emigruar, dhe ku tabloja etnike është ndryshuar më së shumti.

Dosja, sipas FDH-së, është bazuar në dëshmi të dëshmitarëve dhe familjeve të viktimave që i janë dhënë Fondit për të Drejtën Ndërkombëtare, dokumenteve të RDB-së, vendimeve të gjykatave në Serbi, dhe në dokumente të prezantuara para Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, sikurse edhe në raportime të mediave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme