Aktori Fehmi Ferati, tani kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës, ka thënë se duke parë qasjet kritike nëpër media për zhvillimet e fundit në vend në spektrin politik, ka vendosur t’i bashkohet subjektit politik të Vetëvendosjes.
“Pakënaqësia që kam parë në qytet vitet e fundit, sidomos shuarja e qytetit të Mitrovicës, më shtyu të jem pjesë e një subjekti”, ka thënë Ferati në Interaktiv të KTV-së.
Pse ai është bashkuar me Vetëvendosjen, ka thënë se është bazuar në të gjitha parimet e këtij subjekti, jo vetëm atij lokal.
Për garën në Mitrovicë, Ferati thotë se beson që do të jetë shumë interesante.
Tutje, Ferati ka akuzuar dy ish-partitë e mëdha në vend për bllokime e tensione të shtuara në shumë aspekte.
“Ka përfaqësues politik që nuk i kanë qëndrua besnik parimeve të partive tyre. Njëherë fyheshin mes vete, shkaktonin probleme në shoqëri e më pas u bashkuan”, ka thënë Ferati.
Për sa i përket zgjedhjes së Agim Bahtirit, Ferati e quajti “aksident elektoral”. “Po gjithkund ndodhin aksidente elektorale me pasoja”, ka thënë ai.