Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ka lindur fëmija i parë në vitin 2017 dhe ai është djalë, që peshon 3.65 kg. Nëna dhe foshnja gëzojnë shëndet të mirë.
Dr. Hajrulla Latifti theksoi se sapo ka lindur pacientja e parë në Vitin 2017 dhe ishte shtatzënia e parë e Florjana Muhaxherit.
“Fëmija është i gjinisë mashkull, ka lindur normal dhe operacioni kaloi pa komplikime”, tha Latifti.
Ndërsa Curr Xhoci, drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), theksoi se fëmija i parë në këtë vit ka lindur përmes operacionit dhe gjendja e nënës edhe e bebes është shumë e mirë.
“Gjendja e nënës edhe e bebes është shumë e mirë. Foshnja e parë është mashkull në maternitetin më të madh ndoshta edhe në Ballkan dhe regjion, urime për të gjithë shqiptarët”, tha ai, raporton kp.
Kurse Myrvete Paçarada, drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë njoftoi se në këtë klinikë në vitin 2016 kanë pasur 10 mijë e 40 lindje.
“Vitin 2016 e kemi përfunduar me 10 mijë e 40 lindje. Është hera e parë qe dhjetë vjet që kemi ngritje në numrin e lindjeve, pasi për dhjetë vjet kemi pas një numër të zvogëluar të lindjeve”, tha ajo.
Ajo shtoi se Klinika që udhëheq është shpallur klinika më e mirë.