Gazetare: Melihate Rustemi
Fëmijët e shkollës fillore me qendër resursesh “Idnina” në Çair tashmë do të ndjekin mësimin në shkollën e mesme për rehabilitim dhe mësim “Shën Naumi i Ohrit”. Në këtë objekt ku janë krijuar kushte të përshtatshme për mësim, fëmijët me nevoja të posaçme do të jenë të vendosur përkohësisht, deri në ndërtimin e një objekti të ri shkollor në lokacionin e shkollës ekzistuese.
“Tashmë nëntë klasa janë të pajisura. Pamë një dhomë për edukim dhe rehabilitim psikomotor, pamë një klasë Montessori, pamë një bibliotekë dhe përveç kësaj tetë klasa të reja janë drejt përfundimit të rinovimit të tyre. Me këtë, do të plotësojmë kushtet, që shumica e fëmijëve, 200 në numër, 70 të rregullt dhe 130 me programe të veçanta do të akomodohen këtu. Disa nga nxënësit ende punojnë në shkollën e vjetër” Idnina”, në atë pjesë ku është e sigurt dhe presim që këto punime që filluan në korrik t’i përfundojmë në një kohë shumë të shkurtër”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Përveç objektit të ri për shkollën fillore ”Idnina”, në lokacionin e njëjtë do të ndërtohet edhe një objekt tjetër shkollor. Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti tha se ndërtimi i shkollës së re në Çair do të ul numrin e madh të nxënësve në shkollat ekzistuese dhe do të mundësoj realizimin e mësimit në një ndërrim.
“Me rëndësi është që kemi zgjidhje të përkohshme që është shumë solide për fëmijët me nevoja të posaçme. Nuk e kemi presionin, plani është i aprovuar, buxhetet janë të parapara dhe mund të punohet në mënyrë paralele edhe njëra edhe tjetra”, tha Izet Mexhiti, zv kryeministër.
Rikonstruimi dhe përshtatja e klasave për fëmijët e shkollës “Idnina” u mundësua me angazhim të Qeverisë dhe donacion të Odës tregtare Maqedoni-Turqi- MATTO./Alsat.mk



