Ferdonies ia vranë fëmijët, por ajo e vazhdon jetën e vetme me dhimbje të madhe në shpirt

Shtron sofrën për fëmijët që s’i ka më. E bukën e ha mes lotësh. E rrethuar me fotografitë, rrobat e gjësendet e tyre, e shtyn jetën, e cila thotë se për të ka qenë e rëndë dhe e padrejtë. Kjo është Ferdonie Qerkezi, të cilës ia vranë burrin dhe katër djemtë.

Ata ia morën më 27 mars të vitit 1999, për të mos u kthyer kurrë më. E shtëpia e madhe i mbeti e zbrazët, e ftohtë akull ashtu si dhe zemra e saj, e cila ngriu, në momentin që ia morën nga duart fëmijët të cilët i rriti.

Tregon për ta, e fytyrën e saj e vërshojnë lotët. Thotë se njeriu qenka më i fortë se guri dhe se mund ta përballojë dhe këtë dhimbje kaq të madhe. Ferdonia e cila mes lotësh e zbardh mëngjesin, e netët e ftohta i kalon e vetme, vazhdon jetën me një dhimbje të madhe brenda saj. Me dhimbjen e një nëne, të cilës ia morën e vranë ata që i lindi, e që për të ishin më e shtrenjta gjë.

“Një ditë e imja është shumë e vështirë. Sidomos mëngjesi. Qohem në mëngjes, natje e vetme. Gjithmonë duke i kujtuar bashkëshortin e katër djemtë. Si e kanë filluar punën prej mëngjesit, janë kthyer në drekë, kanë hangër drekë, janë shku prapë në punë, janë kthy prej punës….E përgatis pak mëngjes, me hangër. Se pa hangër s’po bëjka. Masandej punët e shtëpisë, i mbaj fotografitë. Vazhdimisht edhe pres mysafir dhe e këqyri e mbaj shtëpinë. Siç i kam pas bashkëshortin, katër djemtë dhe nuset…Vështirë është shumë me jetu në vetmi. Por me ndihmën e zotit po jetoj.. Nuk e kam prit këtë kohë që muj me përballu. Por fal zotit po e përballoj këtë vetmi”, tha ajo për Kosovapress.

Mes lotëve dhe trishtimit, rrëfen ngjarjen rrëqethëse të asaj nate me shi, kur ia morën djemtë dhe burrin e saj, e me ta ia morën dhe buzëqeshjen, gëzimin, e lumturinë që kishte dikur.

“Atë ditë u kanë duke rënë njëfarë shiu i lehtë. Na kanë mbajt para dyerve të podrumit një orë e gjysmë. Tha qe sa na ka thanë sekretariati se duhet me iu rujt sonte se ka me bombardu NATO… 23 veta na futën në podrum…Sa u ulën lypen raki. Thash momentalisht nuk kemi raki. Tha ju mbani. Thash na mbajmë por tash na ka qëllu….Ndërkohë lypen kafe. Unë dola me i ba kafe. I lypen dy kafe. Unë i bana kafet e mesme, prej katit të podrumit hypa në katin e parë. I bana dy kafe të mesme, zbrita poshtë. Iu dhash këtij Draganit dhe këtij tjetrit edhe tha njani prej tyre, unë e du më të idhët. Atë kafe e mori dikush tjetër, hypa dhe njëherë nalt në katin e parë, e kam kuzhinën aty. Tu hyp bana uhhh më thanë çka ke. Thash asgjë, ashtu me erdh. Mos u tut tha se jemi ardh me iu rujt. Thash faleminderit. Aty pak u shlirova e bana dhe kafen dhe ia qova. S’po di cili Dragani apo ai tjetri. Tu e pi kafe unë u sillësha rreth tavolinës kishe po bëjë diçka, kur Dragani po i thotë Halimit, juve shqiptarëve duhet me iu pre kryt. Bashkëshorti iu përgjigj pse, ne kemi kalu mirë, s’kemi kalu keq. Tha tash ka ardhur momenti me iu pre kryt juve shqiptareve. Bashkëshorti tha në dorë na keni mund të bëni çfarë të doni. Aty e pash që… (qanë)”, tha ajo.

E Edmondin 14 vjeçar ia morën nga gjumi që e kishte zënë prapa shpinës së saj. Ajo ofshan teksa e tregon këtë skenë, dhe dhimbjen e madhe që vetëm një nënë mund ta përjetojë. Një nënë e cila e zgjon nga gjumi të voglin e saj, për të ia dorëzuar vrasësve.

“I morën meshkujt krejt. I thirren me emra. E thirren Artanin, Armendin, Ardianin, Vegimin Shpejtimin, Fatosin e Shpendin. Por unë e Edmondin e pata mbrapa. I thash Edmond qu se erdhën policia (qanë), ai u qu vrap doli. Kur dolën meshkujt, u kthyn prapë edhe një mashkull. O krejt i keni marrë s’e kemi asnjë. Dolën i njehen. U kthyen masandej na lypen pare. Ohaa… ma i vogli 14 vjet”, tha ajo.

Megjithëse i priste çdo ditë, për pesë vite me radhë se kur do t’i dëgjonte hapat e tyre teksa ktheheshin në shtëpi, shpresa iu shua atë ditë që mori lajmin që janë gjetur trupat e dy djemve të saj Edmondit dhe Artanit. Ndërsa për bashkëshortin, Armendin dhe Ardianin ende nuk di asgjë..

“Kam mbajt ymyt shumë deri në 5 vjet. Deri 5 vjet kam mbajt por më shumë derisa janë kanë këta shqiptaret e Gjakovës në burg të Beogradit në serbi. Kur janë dal ata në 2000 prej burgut të Serbisë, atëherë pak mu kanë shujt shpresat. Por shpresa nuk po u shujke. Kam mbajt ymyt derisa kanë dal artani dhe edmondi. Atëherë mu ka ndërpre…..kam prit deri në 2005. Mbas 2005 u pa që ..Nuset kanë ndejt 5 vjet e gjysmë pas luftës. Kanë marrë rrugën e vet. Kanë kriju familje. Unë mbeta vetëm. Sa i kam pas nuset jam kanë dhe me e fortë (qanë) se mu doke se edhe ato kanë pasur shpresë të madhe”, thotë ajo….

E për të nuk ekzistojnë as festat e fundvitit, e as dritat e qytetit, pasi që u shuan përjetë katër dritat e syve të saj.

“Unë tash prej tetë anëtarëve, me mbet vetëm katastrofë. Por me ndihmën e Zotit. Për mua nuk ekzistojnë festat hiq. Mua më duket një ditë e rëndomtë. Nuk i parashikoj mem thanë dikush sot i respektoj festat por më duket rënd. Prej tetë anëtarëve me mbet vetëm, veç zoti po më mban”, tha ajo.

Megjithatë qëndron e fortë, mes fotove e sendeve të tyre, e herë -herë, i duket që ata janë aty e flet me ta.

“Prej mallit i kam rrit fotografitë me kujtu që tamam i kam gjallë (qanë). Flas me ta, çka me fol, e mjera unë çka iu bana shkijeve. Është e rëndë boll. Është dhe lehtësim kur po i shoh në fotografit, sepse me duket gjithmonë po ecin nëpër japi. Kur e kanë kohen e drekës i këqyri. Më duket që me këqyrin dhe i këqyri”, tha ajo.

Ndërsa thotë se edhe kur del nga shtëpia, ka ndjenjën që i ka me vete. E presin tek dera e shtëpisë, kur ajo kthehet.

“Ku të shkoj gjithmonë i kam me vete. Dhe kur të vij më duket, se pa më dal dikush përpara nuk e len”, tha ajo.

Shikon djepin në të cilin i përkundi katër djemtë e saj, e i cili i mbeti bosh edhe pse e kishte ruajtur atë që në të t’i përkundte sërish nipërit e mbesat. Por këtë nuk e arriti kurrë. E herë pas here i shikon lodrat të cilat ua bleu kur ishin të vegjël, e me to i kujton lojërat që dikur ata bënin sa ishin të vegjël dhe vraponin nëpër shtëpi.

“Që kanë lujt fëmija i kujtoj.. Iu kujtoj lodrat…Nuk më ka shku kurrë mendja, që policia ma merr bashkëshortin dhe katër djemtë.. Për ndonjë ndoshta po por krejt kështu mem lanë vetëm, s’më ka shku mendja…As s’po mundem me kuptu pse ndodhi kjo kështu”, tha ajo.

E lulet e Edmondit, të cilin ia morën prapa shpinës së saj, kur i kishte vetëm 14 vjet i ujit, e kujdeset për to, sepse ato i mbolli Edmondi me duart e tij të vogla. Thotë se sa herë shihte lulet që rriteshin e nuk vyshkeshin, shpresonte që ai është gjallë, pasi që lulet e tij po lulëzonin e po rriteshin. Por dhe kjo shpresë iu shua, kur e mori lajmin që ata u gjeten në një varrezë masive.

“Jam kujdes për lulet prej fillimit. Prej se i kanë marrë bashkëshortin dhe djemtë. Lulja nuk u tha gjithmonë janë përtri. Me ymyt që lulja nuk u tha, e ata kthehen në shpi të vet. Mbasi e di që është kthy trupi i Edmondi, prapë ia ruaj edhe pse u kthy Edmondi”, tha ajo.

Në Kosovë edhe 1654 figurojnë si të zhdukur ndërsa shpresat e familjarëve se eshtrat e tyre do të gjenden një ditë janë shuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme