Ambasada ruse në Shkup, si asnjëherë më parë, ka manifestuar Ditën e Fitores në Qendër të Shkupit. Ambasadori rus doli në shesh i shoqëruar nga stafi i tij dhe bashkë me ambasadorin kinez, për të ndjekur drejtpërdrejtë nga Moska, sekuenca të paradës ushtarake ruse të vitit 1945 si dhe fjalimin e sotëm të Presidentit Vlladimir Putin, të cilat u shfaqën në një nga ekranet më të mëdhenj në shesh. Pavarësisht simbolikës që tentonte të përcillte kjo ngjarje, numri i qytetarëve që e ndiqnin manifestimin ishte tepër i paktë. Parada synonte të tregonte muskujt e Rusisë dhe pozitën e saj në botë, ndërsa një fenomen i tillë ishte i pazakontë në zemër të Shkupit.
Në një eveniment më herët, në rrugën “9 Maji” në Shkup, ambasadori rus, Bazdnikin që kishte vendosur lule për nder të kësaj dite foli me tone komuniste për linja të kuqe të Rusisë dhe me gjuhë kërcënuese ndaj shteteve që nuk i respektojnë ato.
I mbrojmë dhe do të vazhdojmë t’i mbrojmë interesat tona në kornizë të së drejtës ndërkombëtare. Por, nëse dikush nuk dëshiron të bëjë dialog, zgjedh ton egoist dhe arrogant, Rusia gjithnjë do të gjejë mënyrë për ta mbrojtur pozicionin e saj. Shpresojmë se askush nuk do të mendojë ta kalojë të ashtuquajturën “Linjë të kuqe” në raport me vendin tonë. Ku do të vizatohet kjo linjë, siç ka theksuar Presidenti Putin, në secilin rast konkret do ta definojmë vetë”, theksoi Sergej Bazdnikin, ambasadori i Rusisë në Shkup.
Megjithatë, rastësisht apo jo, në tabor me rusët sot ishte edhe Kina. Ambasadorin kinez në vend, Suo e pyetëm se si ndihet sot që Maqedonia e Veriut frymon në NATO dhe aspiron BE-në, por ai theksoi se kjo është zgjedhje e Maqedonisë së Veriut.
Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE është vendim i pavarur, që e kanë bërë njerëzit e Maqedonisë së Veriut dhe Kina e respekton atë. Dhe Maqedonia e Veriut e respekton ndihmën e Kinës në zhvillimin e vendit”, tha Zhang Suo, ambasadori i Kinës në Shkup.
Ngjarja ruse nuk kaloi pa rënë në sy edhe nga kundërshtarë të pushtetit rus.
Në shesh u vendosën parulla të ndryshme kundër Putinit, me mbishkrimet “A është kjo fitorja” duke shfaqur imazhe të presidentit rus me shenjën Hazard (rrezik) deri edhe karikaturën për opozitarin Navalni, me mbishkrimin “A jeni gati të merrni dozën e dyrtë të helmit nervin Novicok”. Nuk u la pa përmendur edhe ndërhyrja ruse në Krime. Madje teksa në ekran shfaqej parada, mbi kokat e grupit që ndiqte paradën drejtpërdrejtë, një dron fluturoi me mbishkrimin “Putinizëm”, si sinjal i qartë kundër Rusisë.
Megjithatë ngjarja që ishte me një simbolikë të madhe, me paradë në ekranin e sheshit u bojkotua nga autoritetet e larta të Maqedonisë së Veriut, të cilët gjithashtu treguan sinjalin se e kanë zgjedhur rrugën e tyre. Gjithsesi prezent ishte kreu i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq.