Festivali në Pustec, mungon sërish himni shqiptar/ Kryeministri Mickoski: Mbështetje për maqedonasit në Shqipëri

Në Pustec po zhvillohet Festivali Folklorik Maqedonas, aktivitet ku është i pranishëm edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Aktiviteti është shoqëruar me debate për respektimin e protokollit shtetëror, pasi, sipas informacionit të bërë publik, edhe këtë herë nuk është ekzekutuar himni kombëtar shqiptar, ndërsa është luajtur vetëm himni i Maqedonisë së Veriut.

Kjo është hera e dytë në një periudhë të shkurtër që ngrihen pikëpyetje për respektimin e himnit shqiptar në aktivitete të zhvilluara në Pustec, ku marrin pjesë përfaqësues të të dyja vendeve. Sipas pretendimeve të raportuara për protokollin, në aktivitete të tilla pritet që himnet të ekzekutohen sipas rregullave përkatëse shtetërore.

Në fjalën e tij, Mickoski u ndal gjerësisht te komuniteti maqedonas në Shqipëri dhe premtoi mbështetje më të madhe institucionale nga qeveria e Maqedonisë së Veriut.

“Dëshirojmë që një pjesë të këtyre projekteve, brenda mundësive tona, ta mbështesim”, u shpreh Mickoski, duke njoftuar se kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit e maqedonasve në Shqipëri do të ftohen në qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të diskutuar një plan konkret mbështetjeje.

Kryeministri maqedonas përcolli gjithashtu një mesazh respekti dhe miqësie ndaj Shqipërisë, duke theksuar se marrëdhëniet mes popujve duhet të ndërtohen mbi respektimin e dallimeve.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua ruajtjes së gjuhës dhe identitetit maqedonas në Prespën e Vogël. Mickoski u bëri thirrje të rinjve maqedonas të kësaj zone që të arsimohen, të udhëtojnë dhe të integrohen në Evropë, por njëkohësisht të mos harrojnë gjuhën amtare, historinë dhe origjinën familjare.

“Mësoni, udhëtoni, flisni gjuhë të huaja, jini të suksesshëm dhe qytetarë modernë evropianë, por kurrë, kurrë mos e harroni gjuhën tuaj amtare maqedonase, historinë e familjes suaj dhe vendin nga i cili e keni origjinën”, tha ai.

Mickoski deklaroi se Maqedonia e Veriut duhet të jetë e pranishme në Prespën e Vogël në mënyrë të vazhdueshme, përmes institucioneve kulturore, shkollave, universiteteve, artistëve, kompanive dhe qytetarëve.

Ai kërkoi gjithashtu më shumë mbështetje për shoqatat kulturore, libra në gjuhën maqedonase, mundësi për mësimin e gjuhës, shkëmbime mes nxënësve dhe të rinjve dhe lidhje më të forta institucionale me komunitetin maqedonas në Shqipëri.

“Ky festival është shumë më tepër se këngë, valle dhe kostume”, u shpreh kryeministri maqedonas, duke e cilësuar Prespën e Vogël si dëshmi se kufijtë mund të ndajnë territoret, por jo kulturën, kujtesën familjare dhe ndjenjën e përkatësisë.

Ndërkohë, mungesa e ekzekutimit të himnit shqiptar në aktivitet ka rikthyer diskutimet mbi respektimin e simboleve kombëtare dhe protokollit në aktivitetet zyrtare që zhvillohen në territorin e Shqipërisë.

The post Festivali në Pustec, mungon sërish himni shqiptar/ Kryeministri Mickoski: Mbështetje për maqedonasit në Shqipëri appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme