Gazetar: Suad Bajrami
Zëvendëskryeministri Arben Fetai për Alsat thekson se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat i cili dje kaloi në Qeveri do të prodhojë një sërë efektesh juridike të ligjeve të tjera me qëllim që përfaqësimi i drejtë dhe adekuat të zbatohet edhe në organet e sigurisë, ku Balancuesi i shfuqizuar nuk e ka parashikuar, shkruan Alsat.
“Parashihet që të kemi një inventar i cili do të bëhet në kuadër të Trupit Koordinues të të gjitha ligjeve që prekin fushën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Po po ky vlen për të gjithë kornizën ligjore si vend. Edhe në organet e sigurisë? Po e thash pra, të gjitha ligjet duhet të harmonizohen me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në një afat prej gjashtë muajsh. Fillimisht bëhet pasqyra e të gjitha ligjeve që prekin çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe pastaj në kuadër të Trupit Koordinues, do të përgatiten, do të propozohen amendamentimet e ligjeve që shkelin përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, apo nuk e përfillin, siç ka qenë deri më tani”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër.
Sa i përket çështjes së sanksioneve për shkelësit eventual, Fetai thekson që nuk kemi përvojë të mirë sa i përket mos respektimit të gjuhës shqipe edhe pse ligji parashikon sanksione. Garantues për zbatimin e këtij ligji do të jetë qeveria si institucioni më i fuqishëm, thekson Fetai.
“Shumë me më rëndësi është që të ketë kontroll të qartë politik sesa të dënojmë. Ne e dimë me Ligjin për Gjuhët, praktika ka treguar dhe ka dëshmuar që mekanizmi i dënimit nuk ka sjellë asnjë rezultat, madje nuk është zbatuar fare. Pra kemi qasje totalisht ndryshe, qasje që është evropiane, që është në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje me parimet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe kjo është ideja e këtij ligji. Qeveria, përmes këtij Trupi Koordinues do të jetë organi që e bartë zbatimin e ligjit. Nuk ka institucion më të fuqishëm i cili mund të garantojë për suksesin e zbatimit të këtij ligji”, theksoi Arben Fetai, zëvendëskryeministër.
Fetai thekson që për dallim prej Balancuesit, do të minimizohet keqpërdorimi i deklarimit të rrejshëm pasi që institucionet do të marrin për bazë letërnjoftimin dhe do të kryqëzojnë të dhënat nga dokumentet e tjera. Për kritikat e BDI-së se ligji nuk parashikon kalkulator për punësimet e komuniteteve, Fetai përgjigjet:
“Po kalkulatorin ata vetë kërkuan që të hiqet. Tash, a është e njëjta BDI që thoshte sa ishte në pushtet që kalkulatori – Balanceri duhet të hiqet. Bardh e zi i kemi mendimet e ministrave të tyre, bardh e zi e kemi draftin e Strategjisë për Reforma në Administratë Publike. Ata nuk janë seriozë, bijnë në kundërshtim me atë që e kanë thënë para një viti. BDI-ja në opozitë tash del kundër BDI-së në pushtet realisht që është rast për psikoanalizë më tepër sesa rast për debat politik apo për këtë format ku jemi këtu”, u shpreh Arben Fetai, zëvendëskryeministër./ Alsat.mk