Filkov: Propozim-Ligji për Këshillin Gjyqësor do të diskutohet me përfaqësues të Komisionit të Venecias, përpara se të dorëzohet në Kuvend për lexim dhe miratim

Gazetar: Mihajllo Donev

Ende mbetet e pasigurt nëse propozim-Ligji për Këshillin Gjyqësor do të dorëzohet në Kuvend gjatë qershorit edhe pse tashmë gjendet në ENER. Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov shpreson që deri në fund të qershorit propozimi të hyjë në procedurë parlamentare, por fillimisht duhet të marrë vlerësim edhe nga Komisioni i Venecias, me të cilin sot do të zhvillojë takim grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë.

“Po, kjo është më e rëndësishmja për ne, që ligji të jetë i çliruar nga ndikimet politike. Ndryshe, mbetet çështje nëse do të jetë gati deri në fund të muajit. Shpresoj që do të jetë, pasi të arrijnë komentet nga Komisioni i Venecias, për të cilat kemi takim gjatë ditës së sotme”, tha Igor Filkov – Ministër i Drejtësisë.

Megjithatë, rekomandimet nga Komisioni i Venecias nuk janë detyruese, kështu që mbetet të shihet se cilat do të jenë ato dhe nëse do të përfshihen më tej në propozim-Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Zgjidhja ligjore e publikuar në ENER përfshin disa risi – është shtuar përkufizim për atë se çfarë do të thotë “jurist i shquar”, janë zgjeruar kriteret që duhet të përmbushin anëtarët e këshillit të zgjedhur nga Kuvendi dhe është parashikuar që shkarkimi i kryetarit të këshillit të mbahet në seancë publike. Në debatin e fundit, ekspertët shprehën kritika për atë se di duhet rregulluar pjesëmarrja e ministrit të Drejtësisë dhe kryetarit të Gjykatës Supreme, përkatësisht të mos jetë e domosdoshme. Filkov përsëri nuk zbuloi shumë detaje rreth ligjeve në fushën e drejtësisë që janë pjesë e agjendës së reformave, por vetëm informoi se kur pritet të gjenden para deputetëve. Në pakon prej tetë ligjeve me afat deri në qershor të këtij viti, katër janë dorëzuar në Qeveri dhe janë në procedurë të shkurtuar – propozim-Ligji për pagat e gjykatësve, propozim-Ligji për pagat e prokurorëve publikë, propozim-Ligji për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe propozim-Ligji për pagat e anëtarëve të Këshillit të Prokuroreve Publikë. Kodi Penal krejtësisht i ri është në pakon e ligjeve me afat deri në dhjetor 2025. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme