Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se nga sot ka filluar zbatimi i mekanizmit për trajtimin e drejtuesve të automjeteve me targa të huaja, të cilët, sipas sistemit “Qytet i Sigurt“, kanë kryer kundërvajtje rrugore në territorin e Maqedonisë.
“Në Pikën e Kalimit Kufitar Tabanoc, gjatë daljes nga shteti, shfaqen automjetet te të cilat sistemi i ka evidentuar më herët kundërvajtjet rrugore. Drejtuesit njoftohen se është evidentuar kundërvajtje dhe u lëshohet Procesverbal për kundërvajtjen rrugore së bashku me urdhërpagesën për kundërvajtje, me mundësi që gjobën ta paguajnë në përputhje me procedurën ligjore”, informoi MPB.
Gjithashtu nga MPB thonë se numri më i madh i automjeteve që u shfaqen sot në pikën kufitare është për shkak se kjo është dita e parë e zbatimit të këtij mekanizmi, ku përfshihen edhe kundërvajtjet e evidentuara më herët.
Ministria e Punëve të Brendshme po ndërmerr aktivitete për zhvillimin e papenguar të procedurës dhe për zvogëlimin e kohës së pritjes së udhëtarëve.
“Me vendosjen e këtij mekanizmi sigurohet qasje e barabartë dhe jodiskriminuese në sanksionimin e kundërvajtjeve rrugore, pavarësisht nëse bëhet fjalë për automjete me targa vendore apo të huaja”, shtuan nga MPB.
The post Filloi zbatimi i sistemit “Safe City” për automjetet me targa të huaja në Tabanoc appeared first on Alsat.



