Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në seancën e saj të fundit, ka miratuar një vendim që hap rrugën drejt zgjidhjes përfundimtare të problemit të shkollës në Nerovë, konkretisht të çështjes pronësore që lidhet me ndërtimin e objektit të ri shkollor. Burime qeveritare bëjnë me dije se ky vendim i rëndësishëm mundëson përmbylljen e procedurave ligjore dhe administrative, duke garantuar bazën e nevojshme për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës arsimore në këtë zonë. ALSAT ka raportuar disa herë për shkollën e ndërtuar nga banorët, por që u pezullua për shkak se ishte ndërtuar pa leje ndërtimi. Ministria e Arsimit nuk kishte marrë pjesë në punimet ndërtimore dhe as nuk i kishte mbikëqyrur ato, çka për një kohë të gjatë vuri në pikëpyetje transferimin e nxënësve në godinën e re. Pas ndërgjegjësimit mbi situatën, një ekip nga Ministria e Arsimit hartoi një raport teknik mbi objektin e ri, për të vlerësuar nëse ndërtesa ishte e qëndrueshme dhe e përshtatshme për zhvillimin e mësimit. Në të njëjtën kohë, edhe vetë objekti i vjetër, ku aktualisht zhvillohet mësimi, rezultoi jashtë standardeve, madje ALSAT zbuloi se edhe ajo godinë kishte qenë ndërtuar pa leje dekada më parë. Inspektorët e Ministrisë së Arsimit, në bashkëpunim me ata të Komunës së Krushevës, inspektuan të dy objektet shkollore në fshatin Nerovë dhe konstatuan gjendjen faktike. Qeveria ka marrë parasysh kërkesat e banorëve dhe ka nisur procedurat ligjore për zgjidhjen e problemit. Sipas burimeve qeveritare, institucionet mbeten të angazhuara për përkrahjen e arsimit cilësor dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit në vend. Nisma për ndërtimin e objektit të ri shkollor në Nerovë nisi si iniciativë vullnetare nga vetë banorët, pas kërkesave të prindërve për kushte më të sigurta, pasi 120 nxënës të shkollës “Nikolla Karev” jetonin çdo ditë me rrezik. Pasi banorëve iu ndalua vazhdimi i punimeve në objektin e ndërtuar me kontributin e tyre, ata dolën në protestë dhe fëmijët bojkotuan mësimin. Më vonë, nxënësit u rikthyen në shkollë, pas premtimeve për zgjidhjen e çështjes. /Alsat.mk