Sekretari për Marrëdhënie me Publikun në Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala ka reaguar në drejtim të deklaratës së deputetit të AAK-së, Muharrem Nitaj i cili tha se zyrtarët e partisë së Fatmir Limajt, po hanë me nga dy lugë.
Sipas Shalës vetëm Muharrem Nitaj nuk po e di saktë se kush ha me dy lugë.
Shala madje ka këshilluar Nitajn që të vizitojë kryeministrin Ramush Haradinaj dhe të informohet për qëndrimin e Limajt dhe zyrtarëve të tjerë të Nismës.
Sipas Shalës, Nitaj nuk po merr vesh asgjë.
“Ish-gazetari i shndërruar në politikan nuk po merr vesh asgjë në çështje politike dhe është krejtësisht i painformuar. Muharrem Nitaj, nuk merr vesh në këto çështje. Janë tema të rënda për te. Deputeti Nitaj po shihet se është krejtësisht i painformuar për zhvillimet politike sa i përket kësaj çështje. Deputeti Nitaj është mirë të konsultohet me Kryetarin e Partisë dhe besoj se nga Haradinaj informohet qartë për qëndrimet e NISMA-s”, ka shtuar tutje Shala.
Ndryshe Nitaj në shkrimin e tij shkruajti se disa zyrtarë të NISMA-s edhe e akuzuojnë rënë Thaçin edhe e kërkojnë partneritetin e tij.
“Edhe disa nga këta zyrtarët e Nismës, kanë fillu të “hanë me dy lugë”! Edhe e akuzojnë rëndë Thaçin, edhe e kërkojnë partneritetin e tij!”, shkruajti ai.