Nën kërcënimin se Rusia do të mbyllë “rubinetën” e gazit në Europë, Gjermania tashmë po merr masa në pritje të dimrit. Sipas Financial Times, një nga masat që do të marrë është përdorimi i qymyrit, megjithëse konsiderohet si faktori numër një i ndotjes së mjedisit.
“Për të reduktuar konsumin e gazit, duhet të përdorim më pak gaz për të prodhuar energji elektrike. Në vend të kësaj, termocentralet me qymyr duhet të përdoren më shumë”, tha ministria e ekonomisë në një deklaratë.
“Ky vendim paraqet një përmbysje të qeverisë së koalicionit, veçanërisht të të Gjelbërve, e cila ka premtuar se do të ndalojë përdorimin e qymyrit deri në vitin 2030. Është i vështirë, por është i nevojshëm për të reduktuar konsumin e gazit”, tha ministri i Ekonomisë Robert Habeck.
Rusia ka shkurtuar furnizimet me gaz në Gjermani me 60 për qind këtë javë, me evropianët që thonë se Moska po i përgjigjet sanksioneve për pushtimin e saj në Ukrainë.
Edhe Italia është gati të zbatojë planin e emergjencës për sa i përket furnizimit me gaz.
Ndër të tjera, masat e parashikuara në plan janë përdorimi i burimeve alternative të energjisë, reduktimi vullnetar i furnizimit me energji për industritë dhe rritja e importeve nga vendet e treta.
Kjo fazë e re është shkaktuar nga reduktimi i vazhdueshëm i furnizimeve nga Rusia në tre ditët e fundit.
Megjithatë, shtypi italian thekson se javët e fundit Italia tashmë ka filluar të importojë më shumë gaz natyror nga Algjeria sesa nga Federata Ruse.



