Tri organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë filluar me nënshkrimin e peticionit, përmes të cilit po kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi po konsiderohet diskriminuese dhe fyes ndaj Kosovës.
Drejtuesit e këtyre organizatave dolën në sheshin kryesor të Prishtinës për të nënshkruar nga ku edhe iu bën thirrje të gjitha kategorive të dala nga lufta, si dhe qytetarëve që të kontribuojnë për ta ndryshuar ligjin që gjykon vetëm shqiptarët por jo edhe serbët.
Ata njoftuan se ky peticion po nënshkruhet edhe në të gjitha degët dhe nëndegët e organizatave, derisa theksuan se do të arrijnë më shumë se sa nënshkrimet e kërkuara për ndryshim.
Nënkryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka akuzuar deputetët e legjislaturës së kaluar duke thënë se kanë votuar kundër popullit të vet, transmeton kp.
Sipas tij, ndryshimet në ligjin për dhomat e specializuara, përveç që do ta mundësonin një gjykim të drejt, do të ishte mirë edhe për Evropën dhe gjykatat ndërkombëtare
Edhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së fundit të UÇK-së, Xhavit Jashari akuzoi deputetët e legjislaturës së kaluar, duke thënë se nuk do të duhej t’i hapin rrugë një gjykatë, e cila shkel kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës, pasi aty thuhet se vendi ynë është shtet multi-etnik.
Tri organizatave të dala nga luftës iu është bashkangjitur edhe shoqata për dëme të luftës” Ngritja e Zërit”. Përfaqësuesi i kësaj organizate, Jahir Bejtaj tha se kjo legjislaturë e ka mundësinë ta përmirësojë gabimin që e ka bërë legjislatura e kaluar.