Filozofia e politikës shqiptare “kush kërkon pak, meriton hiq”, ka prodhuar azganë si tipi i Dimovskit

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Duke dëgjuar me vëmendje Ilija Dimovskin, në intervistën e Alsat-it, shqiptari i rëndomtë s’ka se si të mos dëshpërohet, madje edhe të zhgënjehet, se edhe pas më shumë se 3 dekadash dhe luftës së 2001-shit, asgjë s’ka ndryshuar në kornizë mentale politikse maqedonase, kundrejt kërkesave legjitime shqiptare. Mendësia e Dimovskit thotë kështu:

Nëse shqiptarët kërkojnë heqjen formulimit ofendues të tanishëm “20 përqind”, ata, pra maqedonasit, do të kërkojnë riorganizimin e komunave të Strugës dhe Kërçovës. Ai thotë se formulimi i tanishëm ofendues ne Kushtetute, është ne frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Pra, Dimovski, nuk angazhohet për t’i zgjidhë dhe përforcuar marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por në stilin e Cërvenkovskit e Gruevskit pse jo edhe të Gligorovit, apo edhe ndoshta i frymëzuar edhe nga Akademikët maqedonas që donin ndarjen e Maqedonisë, shqiptarët i sheh si kundërshtarë ose si “qeraxhinjë” të këtij shteti, të cilëve kërkesat legjitime, duhet t’u jepen pak nga pak!!! Me fjalë tjera, i jep vetes të drejtë të sillet sikur shteti është pronë e tij, apo vetëm i maqedonasve!!!

Me këtë deklaratë, Ilija Dimovski nxjerr në pah dy të vërteta të mëdha që as kush nuk i thotë në Maqedoninë e Veriut, e ato janë:

Edhe pas luftës së 2001-shit, që realisht ishte rezultat i diskriminimit të shqiptarëve, mendësia politike maqedonase ndaj kërkesave shqiptare, nuk ka ndryshuar.

Dhe…

Kërcënimet e këtij lloji nga politikanët maqedonas, tregojnë se faktori politik shqiptarë i pasluftës, por edhe ai i para luftës, nuk e ka zgjidhë as çështjen e gjuhës shqipe, as problemet tjera të shumta shqiptare, bile as të komunave me shumicë shqiptare, qe i permend Dimovski

Pra, këto janë dy të vërtetat e mëdha, për të cilat BDI-ja që nga 2001-shi, nuk ngeli ditë pa u përpjekur të na bind se e ka zgjidhë statusin e gjuhës shqipe, pastaj se ka zgjidhë shumë çështje që kanë karakter kombëtare.

Me këtë kërcënim, Dimovski dhe bashkëmendimtarët e shumtë politikë maqedonas, tregojnë se ai edhe pas kaq vitesh demokraci, nuk dallon nga kërcënimet e kushtëzimet absurde ndaj shqiptarëve, të Gruevskit, Cërvenkovskit, Gligorovit, disa akademikëve maqedonas…, kur janë në pytetje kërkesat legjitime shqiptare, që garantohen edhe me konventa ndërkombëtare.

Dimovskit duhet t’i tregohet se 3 përqind serbë në Kosovë, e kanë gjuhën e tyre zyrtare në gjithë territorin e Repubikës së Kosovës, bile edhe 10 vende deputetësh të garantuara me ligj. Komunat serbe në Kosovë, sikurse edhe ato maqedonas këtu në Maqedoni, numërojnë nga 2.000 deri 4.000 banorë, vetëm e vetëm për t’i ndarë dhe parcializuar fizikisht shqiptarët, respektivisht nga shumicë në komuna urbane për t’i shndërruar në pakicë.

Kurse komunë shqiptare me kaq pak banorë nuk ka në maqedoni. E keni rastin e Kumanovës! Mu gjatë kohës së qeverisë së BDI-së, Kumanovës iu hoq rajoni i Likovës me rreth 30 mijë banorë, me qëllim që në qytetin e Kumanovës, shqiptarët nga rreth 40 e kusur perqind të zbresin në rreth 26 përqind. Pra, nëse shqiptarët mendojnë me mendjen e vojvodës Dimovski, atëherë duhet të kërkojnë riorganizim të më shumë komunave me shumicë shqiptare.

Me fjalë tjera, edhe banoret shqiptarë te Kumanoves e Likoves, duhet te kerkojne bashkimin e komunes se Likoves dhe Kumanoves. E kjo pastaj mund të prodhoj shumë e shumë problem tjera, për të cilat ose nuk është i vetdijshëm tipi i Dimovskit, ose nëse e bën me qëllim këtë kushtëzim të deklaruar, atëherë mund të fshehet ndoshta edhe dicka tjetër…

Kaq sa i përket Dimovskit, i cili mendon se shteti është pronë e maqedonasve, dhe se shqiptarëve duhet t’u jepen të drejta në mënyrë të dozuar, pak nga pak… Për ta plotësuar këtë mozaik dhe për të qenë pak më objektiv në mënyrën e gjykimit, duhet të themi se edhe qasja e faktorit politik shqiptarë ndaj realizimit të kërkesave kombëtare me strategjinë “hap pas hapi”, gjatë 34 viteve demokraci dhe sidomos pas luftës së 2001-shit, nuk ka dhënë rezultat, madje në disa raste u tregua e gabuar. Po të kishte qenë gjuha shqipe e zyrtarizuar, si serbishtja në Kosovë, jam i sigurtë se çifti i Dimovskit nuk do të kishte dhënë këso deklarata kutur, mesjetare…

Politikat e deritanishme shqiptare me qëndrimet naive, të tipit: “hajt se tash s’është koha” si Bujar Osmani kur fliste për gjuhën shqipe, apo tjetra sintagmë naive e tipit: “të mos bëhemi faktor destabiliteti”, ose edhe ajo tjetra: “ku ta dimë se çka do të thojnë ndërkombëtarët”, kanë dëshmuar në vepër se nuk kanë vizionin e nevojshëm, nuk e kanë guximin bile-bile në disa raste as edhe vullnetin, sepse janë joshë me anë të pazareve, për të mos thënë tenderëve…

Ju e dini se sa cështje me interes të madh për shqiptarët, janë bërë pazar edhe pse kanë qenë të garantuar me Marrëvesjen Kornizë të Ohrit, kurse një ndër to, ka qenë edhe rregullimi i statusit të ushtarëve të UÇK-së, pastaj përfaqësimi i drejtë nëpër të gjithë institucionet shtetërore, ndërkohë që edhe sot kemi institucione, me zero shqiptarë.

Pra, po flasim për Marrëveshjen e Ohrit, e cila duhej të ishte realizuar në vitin 2006, ndërsa partitë shqiptare edhe sot merren me këtë. Pra, merren me të, sepse iu mungojnë rezultatet konkrete, politikisht nuk janë kreativë, janë të shantazhuar, të korruptuar, prandaj edhe kërkesat i kanë minimaliste… shumë të vogla.

Mu strategjia politike shqiptare “të kërkojmë pak, se nuk është momenti” apo “mos po i hidhërojmë ndërkombëtarët”, ka krijuar hapësirë te pala tjetër, që ta ndërtojë një strategji makiaveliste të tipit, “jepi gjithnjë nga pak, për t’i mbajtur të kënaqur”!

Dhe ai që kërkon pak, nuk meriton hiq, thotë nje fjale e urte popullore. Dhe si duket, pikërisht mbi bazën e kësaj thënie popullore, politika shqiptare e ka ndërtuar strategjinë e veprimit institucional. Fatkeqësisht…

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme