Gazetar: Adnan Qaili
Në Buxhetin e vitit 2024, janë parashikuar 10% më shumë mjete për pagat e punonjësve aktualë në sektorin publik, krahasuar me vitin e kaluar, por jo edhe për funksionarët. Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se nuk ka buxhet të paraparë për rritje shtesë të pagave të 1,260 funksionarëve, të cilët në maj të 2023 patën rritje prej 78%. Qëllimi, sipas Besimit, është që të sigurohet rritje konstante e pagave në sektorin publik, në mënyrë që të ketë një administratë që do të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët dhe firmat. Kreu i thesarit të shtetit hoqi dilemat e sindikalistëve se nga pagat e janarit funksionarët do të marrin 400 euro shtesë, lajm i cili mori dheun ditëve të para të vitit, por doli të jetë i pa saktë sipas autoriteteve.
“Nuk ka para në buxhet për rritje të pagave të funksionarëve në vitin 2024, nuk ka! Nuk ka financa për rritje të pagave, që nënkupton se është vendim i qeverisë që të intervenoj në ligj për të mos pasur rritje. Nuk ka mjete të parapara për rritje sipas harmonizimit të pagave që duhet të bëhet sa herë që të rritet paga minimale, pra nuk ka para të parapara në buxhetin e këtij viti për rritje të pagave të funksionarëve”, deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Financave.
Në konferencën e sotme për media u tha se ka largime të vazhdueshme të punonjësve si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Të dhënat tregojnë se numri i punonjësve në administratë zvogëlohet nga viti në vit. Nga 87,028 punonjës në vitin 2021, numri i të punësuarve në vitin 2023 është 84,200 tha Besimi. Që do të thotë se kemi një trend të uljes së numrit të të punësuarve. Drejtoresha e DAP, Sanja Llukarevska tha se gjithsej të punësuar në sistem figurojnë mbi 535 mijë rrogëtarë.
“Të dhënat më të besueshme i jep Drejtoria e të Ardhurave Publike, unë po i lexoj të dhënat për muajin nëntor, numri i të punësuarave ishte 535 636 me paga të kryera”, u shpreh Sanja Llukarevska, Drejtoreshë e DAP-it.
Por, përkundër shifrave se ka trend të uljes, vlojnë konkurset para zgjedhjeve. Sa i përket punësimeve të shpallura në administratë, Besimi pohon se institucionet nuk guxojnë të punësojnë nëse nuk plotësohet një vend i lirë për shkak të pensionimit apo largimeve të tjera të personelit. Sipas autoriteteve çdo institucion është i obliguar të tërheqë punëtorë efikas. Punonjësit në sektorin publik duhet të dinë se për çdo pozicion të tyre, të paktën nëntë të tjerë presin dhe paguhen nga taksat tona si qytetarë. /Alsat.mk