Pas dorëheqjes së kandidatëve, Alibeajt duket se i janë rralluar edhe deputetët. Në mbledhje për përgatitjen e fushatës morën pjesë vetëm 11 prej tyre që deklaruan se mbështesin 13 emrat e mbetur në garë.
Me një listë ende jo zyrtare dhe me kandidatë që vijojnë të ikin nga gara, Enkelejd Alibeaj vijon me përgatitjet për fushatën.
Efektet u panë dhe te mbledhja e grupit parlamentar.
Në takimin që zgjati rreth një orë morën pjesë vetëm 11 deputetë që deklaruan se do mbështesin 13 kandidatët që janë ende në garë për kryetar.
Mungesat e kandidatëve në 2 të tretat e zonave nuk i ka bërë përshtypje, por u shprehën se do të mbështesin vetëm listën nën siglën zyrtare.
Açka: Mos i përçajmë demokratët deri në fund, mos të çojmë skizmën deri në fund. Kush e filloi të mbajë përgjegjësi për atë që ka filluar. Ne nuk do të hedhim kripë në plagë, kaq. Unë do të mbështes PD dhe njoh vetëm logon e PD.
Agalliu: Unë do të mbështes këdo që është në logon e PD. Mendoj se çdo luftë, çdo përpjekje do të përqëndrohet kundër kësaj qeverie, kundër bashkive aktuale. Ne kemi nxjerrë logon e PD duke u dhënë mundësi demokratëve të votojnë të djathtën.
Nga data 27 mars që ishte afati i regjistrimit e deri më tani, 6 kandidatë të Partisë Demokratike janë tërhequr nga gara, situata të ndodhura në Lezhë, Kurbin, Librazhd, Vorë, Korçë dhe më së fundi kandidati i Krujës.
Kandidatët e dorëhequr
Lezhë- Sandër Marku
Kurbin- Genc Doçi
Librazhd- Bujar Vreto
Vorë-Ibrahim Bruka
Korçë- Gjergj Gjata
Krujë- Sabah Sheta
Ndërkohë Berisha nuk i ka ndalur akuzat ndaj kundërshtarëve në Partinë Demokratike. Duke akuzuar, Enkelejd Alibeajn, u shpreh se vëllai i është arrestuar në BE për rrëmbim në armë. Ndërsa për Bashën thekson se po punon në terren në shërbim të Edi Ramës. Shkak sipas ish-kryeministrit janë dosjet me të cilat i mban peng kryeministri.
Pas akuzave për fondet ruse ndaj ish-kryetarit të PD, Sali Berisha në konferencën e për mediat vuri në qendër të vëmendjes nënkryetarin e partisë që dikur drejtonte.
Ish-kryeministri shprehet se vëllai i Alibeajt është i arrestuar për rrëmbim me armë në vendet e BE-së.
Berisha: Enkelejd Alibeaj ka fshehur të vëllanë e tij kriminel, që është arrestuar për rrëmbimin me armë në vendet e BE dhe sot nuk dihet se ku është. Ndan të fshehtat me Edi Ramën. Ndaj dhe mbahet peng. Për këto rekorde kriminale mund të mos zgjidhej deputet, partnerja e tij mund të mos zgjidhej në gjykatë. Por ia kanë mbyllur dhe e mbajnë peng dhe e shëtisin. Kjo nuk është përçarje, është pengmarrje. Unë i përgëzoj të gjithë ata që u larguan. Geni i tyre për pluralizmin i shtyu që të largohen ndaj këtij aventurieri. Ndaj të dyve.
Duke akuzuar se po mbahen peng nga Rama, Berisha shton se edhe Basha është 24 orë në terren duke lobuar në shërbim të kreut të qeverisë.
Berisha: Përçarja e opozitës është pengmarrje, ndaj duhet t’i quajmë gjërat siç janë. Lulzim Basha është i marrë peng me dosjen e larjes së 700 mijë dollarëve. Ju e dëgjuat raportin, ato nuk kanë lidhje me PD-në, ato janë transaksione të Bashës. Raportet e CIA-s thonë që janë para ruse. Lulzim Basha është peng edhe i aferave të tjera. Zinxhiri i aferave të tij është i gjatë. Mos mendoni se Basha ka vetëm akuzën e parave. Ka edhe të tjera.
I pyetur nga gazetarët se çdo të ndodhë nëse humbet zgjedhjet, Berisha e drejtoi vëmendjen te kushtet e pabarabarta ku nis gara.
Berisha: Të gjitha këto ndikojnë. Vrasjet ndikojnë, sulmet me armë ndaj Top Channel ndikojnë. Se çfarë sigurie ka këtu. Prandaj opozita po bën thirrje që të firmosim ndryshimin më 14 maj.
Me shprehjen tanimë bërë traditë “beteja vazhon”, Berisha përballë gazetarëve premtoi se aksioni opozitar kulmon më 14 maj.
Ndërkohë lidhur me akuzat ndaj Alibeajt, ka ardhur edhe reagimi i kreyetarit të komaduuar të PD.
Sipas tij akuzat ndaj familjarëve, janë rrjedhojë e shkollës politike të komunizmit.