Kardinali katolik Ernest Simoni Troshani, uroi këtë të diel besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.
Në mesazh, kardinali thekson se Fiter Bajrami është vërtet dita e kushtrimit, dita për të treguar dashurinë për Zotin.
“Është dita për të treguar dashurinë për Zotin. Ju vëllezër myslimanë të Shqipërisë kudo që janë ju uroj shëndet, mirëqenie, dashuri, të jeni të bashkuar. Fiter Bajrami është dita e kushtrimit. I madhi Zot do iu japë të gjithë atyre që e mbajnë, e duan, e ndihmojnë popullin, paqe, begati e shëndet të gjithë atyre që e duan”, tha kardinali.
Duke marrë shkasë nga ky mesazh, Presidenti i Republikës, Ilir Meta thekson se harmonia e mrekullueshme ndërfetare është një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare.
Meta falenderon të gjithë udhëheqësit fetarë në vend për mesazhet e mençura, bashkëpunuese dhe shpresëdhënëse.
Reagimi i plotë i Metës:
Harmonia e mrekullueshme ndërfetare është një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare, aset i çmuar i historisë, traditës dhe shoqërisë tonë që duhet ta ruajmë gjithmonë fort si sytë e ballit dhe duhet të na udhëheqë për më shumë zhvillim, begati e paqe sociale!
Falenderoj Kardinal Ernest Simoni Troshani dhe të gjithë udhëheqësit e besimeve fetare në vendin tonë për mesazhet e mençura, bashkëpunuese dhe shpresëdhënëse që japin, jo vetëm në ditë feste, por veçanërisht në momente të vështira!
GËZUAR TË GJITHË BASHKË FITËR BAJRAMIN!