Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri vitin e kaluar arritën në më shumë se 1.1 miliardë eurove dhe prekën një nivel të ri rekord historik vitin e kaluar.
Të dhënat e Bilancit të Pagesave tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj nga investimet për vitin 2024 arritën vlerën e 1.1 miliardë eurove, në rritje me 9.8% krahasuar me një vit më parë.
Kjo shumë përfshin fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.
Nëse nga shuma totale e të ardhurave nga investimet zbresim vlerën e fitimeve të riinvestuara (853 milionë euro), shuma e tërhequr nga investitorët e huaj vitin e kaluar mund të llogaritet në 256 milionë euro, me një rritje prej 21.3% krahasuar me vitin 2023.
Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për vitin 2024 u rritën në 294 milionë euro, 47% më shumë krahasuar me vitin 2022.
Megjithatë, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte gjerësisht negativ në vlerën e 815 milionë eurove, në nivele të përafërta me vitin 2023.
Investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, ndaj bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.
Rimëkëmbja e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e fitimeve. Megjithatë, një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të Lekut në kursin e këmbimit me Euron.
Në fund të vitit 2024, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ishte 5.5% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në Lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i Lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Për këtë arsye, mes aktorëve që kanë përfituar nga rënia e Euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj.
Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2024 fitimi i riinvestuar arriti në 853 milionë euro osa pothuajse sa 54% të totalit të investimeve të huaja direkte. Ato u rritën me 6.3% krahasuar me vitin 2023. Në vitet e fundit, fitimet e riinvestuara kanë kaluar në vlerë flukset e reja të investimeve të huaja direkte./ Monitor