Kryetari i PR, Fatmir Mediu ka komentuar fitoren e Donald Trump në SHBA, duke thënë se amerikanet ishin lodhur nga politika e demokratëve.
Në një lidhje direkte nga SHBA për emisionin “Open” në News24, Mediu renditi disa faktorë, që sipas tij çuan në fitoren e Donald Trump.
Ndërsa për Kamala Harris, ai u shpreh se ajo ishte një kandidate që u fut në lojë nga tërheqja e Biden dhe nuk u zgjodh nga demokratët.
“Shoqëria amerikane ishte lodhur nga politika e demokratëve. Po e filloj nga ato që janë grupe minoritare, të cilët nuk provuan realitetin ekonomik amerikan që demokratët kërkonin që ata të integroheshin realisht.
U panë si kontingjent elektoral sesa një kontingjent reale për të ndërtuar ëndrrën amerikane.
Ekonomia ka qenë problem i madhe, inflacioni, por edhe siguria. Amerika është ndërtuar mbi besimin dhe lirinë e të drejtave dhe potencialin që ka familja.
Sulmi që është bërë jo vetëm në SHBA, por edhe në Shqipëri, familjes si themel i shoqërisë prekte një pjesë të madhe të kontingjentit në SHBA.
Kamala Harris u zgjodh kandidate nga demokratët, u fut në lojë duke përjashtuar Biden, në fushatë nuk kishte nivelin e duhur për të qenë drejtuese.
Fushata e Harris ishte e mbështetur nga struktura të tjera, Klinton, Obama apo aktorët e Hollivudit që jeta e tyre ka qasje tjetër nga jeta e qytetarëve amerikane”, tha Mediu.
Ndërsa i pyetur për pritshmëritë në raport me Shqipërinë, Fatmir Mediu tha: “Opozita shqiptare nga kjo fushatë duhet të nxjerrë mësimet e veta, në raport me qytetarët. Janë disa elemente që duhet ti bëjmë më të spikatura, për ti kuptuar njerëzit, përveç asaj që është evidente, krimi dhe korrupsioni dhe një qeverisje që po shkon drejt autoritarizmit.
Nëse ne do paraqesim në raport me SHBA një platformë të qartë, unë mendoj se do ketë shumë njerëz që do dëgjojnë”.