Shkruan: Xhevdet Pozhari
Pavarësisht epilogut përfundimtar të rezultatit në dy komunat kryesore të Kosovës, Prishtinës dhe Prizrenit, rezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë rikonfirnuan rënien e Partisë Demokratike të Kosovës e cila për më shumë se një dekadë është pjesë e pushtetit qendror dhe qeverisi pjesën dërrmuese të komunave të Kosovës, ndërsa aty ku nuk qeveriste ishte lojtari kryesor për përcaktuesin e fituesit.
Megjithatë, kjo strategji e përdorur mjeshtërisht nga PDK që i mundësoi pushtet thuajse në të gjtha nivelet rezultoi të jetë e pasuksesshme në zgjedhjet parlamentare fillimisht kur u dorëzua dhe paraprakisht u detyrua që postin e kryeministrit t’ia dorëzojë partnerit të saj, ndërsa përfundimisht u demaskua me rezultatin në komunën e Prizrenit ku VV dhe LDK u bënë bashkë për një qëllim – të shporrin mbetjet e marionetave politike si Ramadan Muja. I njëjti disponim reflektoi edhe në komunën e Vushtrisë ku të dy këto parti përmbysën rezultatin.
Se disponimi i elektoratit nuk ka qenë kurrë më parë kaq anti PDK dëshmon edhe rezultati në Prishtinë ku u zhvillua edhe beteja kryesore politike. Nënvlerësimi i kundër kandidatëve prodhoi bashkimin e të gjitha forcave politike të cilat qëmoti i bashkonte interesi. Përtej realizimit të projekteve dhe faktit se kryetari aktual kishte punuar për të merituar një mandat të dytë, megjithatë kjo ishte e pamjaftueshme për t’ia dhënë atij fitoren e padiskutueshme.
Sigurisht, kjo ndërlidhet jo vetëm me konceptet dhe projektet politike që u ballafaquan në këtë garë, por edhe me grupet e interesit të cilat kishin piketuar pikat e ndjeshme dhe ishin bashkuar për të marrë fitoren e shumë dëshiruar në kryeqytet. PDK, si rëndom luante nga pozicioni anësor duke shpresuar në ndihmën e LDK’së, njëjtë si në Gjilan edhe në Prizren. Por, kalkulimet kësaj here ishin jo gjithaq të sakta. Kjo për faktin se elektorati i cilësdo nga këto dy parti kishte arritur kulminacionin e disponimit anti PDK.
Prandaj, edhe mund të thuhet se nëse në këto zgjedhje në komunat kryesore nuk kishte fitues bindës, megjithatë humbësi me i madh dihet. Ai është Kadri Veseli dhe të gjithë ata që politikën e kanë kuptuar vetëm si intrigë dhe kalkulim, e jo edhe si vlerë dhe prespektivë për zhvillim.



