Situata me zjarret në vend mbetet kritike. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, janë regjistruar gjithsej 11 zjarre, prej të cilave 7 janë aktive, 3 janë nën kontroll, ndërsa 1 është shuar.
Vatra aktive të zjarrit ka në fshatin Kopanicë të Sarajit. Në rajonin e Gostivarit dhe Makedonski Brodit, zjarri nga fshati Tërnovë po përhapet në drejtim të Bitovës, Zagradin dhe Strajanës, ku janë përfshirë pyje, vegjetacion e kullota. Zjarr aktiv ka edhe në territorin e Çashkës, mbi fshatin Nezhilovë. Ndërsa vatra aktive janë regjistruar edhe në Jegunovcë, Prilep e Ohër.
Një zjarr është shuar plotësisht, ndërsa tre zjarre të tjera janë nën kontroll, ndër to edhe zjarri në Malin e Kitkës
“Zjarri që ka vazhduar me ditë të tëra në malin Kitka është vënë nën kontroll të plotë. Këtë mëngjes, nuk ka djegie aktive. Vetëm disa vende po tregojnë shenja të tij. Ekipet e zjarrfikësve të Shkupit janë në vendngjarje dhe ekipet e zjarrfikësve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim janë në gatishmëri nëse është e nevojshme. Kemi përsëri një zjarr aktiv në malin Zheden, një zjarr që mund të shihet nga ana e Shkupit në zonën e fshatit Kopanicë.” – Stojançe Angellov, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Ndërkohë, terren i vështirë është edhe ai i Tetovës ku zjarri i një dite më parë kishte potencial të shkaktonte dëme të mëdha.
Zjarrfikësit e Tetovës po punojnë në anën e Tetovës, në këtë moment po zhvillohet në terren të vështirë për t’u aksesuar dhe shpesh i paarritshëm, prandaj qasja në të është shumë e kufizuar. Pritet që zjarri të zbresë në pjesët e poshtme të malit dhe atje do të vihet nën kontroll të plotë, besoj sot do të shuhet tërësisht. – Stojançe Angellov, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Nga jugu në perëndim të vendit, zjarret vazhdojnë të jenë një sfidë për ekipet në terren. /Alsat.mk
The post Flakët nuk ndalen, zjarre aktive në Saraj, Gostivar, Prilep e Ohër appeared first on Alsat.



