Flasin ekspertët: Kush po rrezikohet më shumë nga rënia e Bitcoin?

Valutat virtuale, apo si i quajnë ndryshe kriptovalutat, kanë rënë gati në nivelet më të ulëta të tyre që nga nëntori i vitit të kaluar.

Ndërsa pavarësisht se janari dhe shkurti i këtij viti e gjeti tregun e kriptovalutave me rënie të vlerës së tyre, njohësit e kësaj fushe thonë se një e gjë e tillë nuk paraqet ndonjë rrezik.

Madje, inxhinieri Ermal Sadiku ka bërë të ditur për KosovaPress se rëniet veç kanë qenë të pritura.

Teksa ka theksuar se në lëvizjen e çmimeve të kriptovalutave ndikojnë shumë faktorë, e ndër ta më së shumti spekulimet.

“Ka qenë deri diku e pritshme. Nuk e di a ka qenë i pritshëm niveli i rënies, por ka qenë e pritshme që ka me pasur rënie të tilla. Kriptovalutat dhe krejt kjo industri është shumë e re dhe shumë e ndjeshme, shumë e lëvizshme, e bazuar në spekulime dhe spekulimet e këqija normalisht se ndikojnë shumë në lëvizje të çmimeve, uljen e tyre. Kanë ndikuar shumë gjëra: tentim për t’i rregulluar, tentimi për t’i kontrolluar, ‘fake news’, ka pasur shumë lajme të rreme. Pastaj është vet periudha, janari, që është gjithmonë periudha që ka ndikuar në çmime. Pastaj problemet e ndryshme të dollarit, që edhe ai ka pësuar shumë rënie. Të gjitha tregjet kanë pësuar njëfarë rënie”, tha ai.

Megjithatë, ai theksoi se rënia e vlerës së kriptovalutave është e rrezikshme për ata që kanë investuar dhe kanë blerë kriptovaluta me çmime të larta, teksa thotë se nuk paraqet rrezik për ata që kanë blerë kriptovaluta në kohën kur kanë qenë më lirë.

“A është e rrezikshme? Është e rrezikshme për ata që kanë investuar dhe kanë blerë kriptovaluta me çmime të larta. Për ata që kanë blerë para 6 muajsh nuk ka qenë e rrezikshme, sepse me gjithë këtë idenë se ka pasur rënie, prapë se prapë niveli i çmimeve ka qenë sikur në periudhën nëntor-dhjetor”, u shpreh Sadiku.

Sipas inxhinierit Ermal Sadiku, rëniet e vlerës së kriptovalutave duhet parë varësisht nga periudhat se kur ndodhin.

“Rënien duhet me e pa në periudha të caktuara, nëse ne e marrim për ta kontrolluar në një periudhë 1 vjeçare, sot është çmimi 10 fish më i madh sesa që ka qenë para 1 viti. Nëse e shikojmë në mënyrë 6 mujore, sot prapë çmimi është më i madh se që ka qenë edhe para 3 muajsh. Nëse e shikojmë në krahasim me 2 muaj, ose me 5-6 janar kur ka qenë një ngritje ekstrem e lartë, atëherë është më i ulët”, bëri të ditur ai.

Edhe Granit Kadolli, njohës i kësaj fushe, ka shpjeguar se sistemi i kriptovalutave nuk mund të bie asnjëherë në zero.

E për këtë ai tha se edhe bankat në Amerikë kanë bërë hapat e parë për të mos i lënë njerëzit të tërheqin paratë e tyre vetëm për shkak të spekulimeve.

“Kjo nuk ka për të rënë në zero qysh po diskutohet, sepse është shumë kapital i madh, shumë para janë investuar. Shumë programerë janë të involvuar, nuk janë më një, janë 10 mijë e më shumë. Janë shumë biznese të mëdha, asnjë nuk ka qejf të tërheq paratë. E dyta është se një rregullore që është hartuar para një muaji në Amerikë që nuk mund të tërhiqen më shumë 3-7 mijë dollarë. Tri bankat më të mëdha në Amerikë e kanë ndaluar tërheqjen e parasë ‘fiat’ për arsye se njerëzit kanë pasur panik dhe kjo ka reflektuar edhe tek pjesa e dollarit në botë dhe në ekonomi. Ato rregullore janë bërë brenda 24 orësh”, tha ai.

Madje, Kadolli thotë se edhe nëse gjithçka shkatërrohet, sistemi i kriptovalutave nuk ka për të rënë asnjëherë për shkak se siç thotë ai, në botë janë 15-16 mijë pika të cilat e mbrojnë bitcoin-in si valutë.

Ndryshe, rënie të bitcoin-it si kriptovalutë ka pasur pothuajse gjatë gjithë pjesës së parë të vitit të kaluar, teksa rritje më të dukshme prej 2 mijë e 725 dollarë amerikan ka shënuar më 25 maj 2017-të. E kulminacioni i vlerës së tij për vitin e kaluar del të jetë më 27 dhjetor, prej 19 mijë e 211 dollarësh amerikan.

Në 2018-ën bitcoin e ka nisur me rënie, ku rënie drastike pati më 6 shkurt të këtij viti, vlera e tij ra në 6 mijë e 522 dollarë./Telegrafi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme