Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më në fund, do të votojnë për njërën prej çështjeve më të rëndësishme për vendin, Demarkacionin me Malin e Zi.
Kryesia e Parlamentit, respektivisht kryetari Kadri Veseli, ka marrë vendim që të dielën në ora 18:00 të mbajë seancë ku edhe pritet ta miratohet Marrëveshja Ndërkufitare.
Partitë e koalicionit (PDK,AAK dhe NISMA) kanë dhënë sinjale pozitive për votimit e kësaj çështje, derisa njëjtë ka paralajmëruar se do të veprojë edhe partia opozitare, LDK. Ndërsa, kundër kësaj marrëveshje është shprehur partia e Albin Kurtit, Lëvizja “Vetëvendosje”.
Mirëpo, qëndrim për këtë çështje ende nuk ka marrë Lista Srpska. Shefi i Grupit Parlamentar, Igor Simiq, në një prononcim për “Indeksonline”, ka shpjeguar qëndrimin e tyre.
“Kur kjo çështje të vjen brenda partisë tonë ne do ta diskutojmë dhe do ta tregojmë pozicionin tonë. Tani, nuk kemi ndonjë pozicionim për këtë çështje. Kështu që nuk po mundem të them diçka më shumë”, u shpreh ai.
Ndërsa për pyetjen se a do të marrim pjesë në seancën e së dielës, Simiq thotë se do të shohin. “Ne do t’ju njoftojmë për pjesëmarrjen dhe hapin tjetër që do ta marrim”, ka thënë ai.
Ndryshe, për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nevojiten 81 vota nga 120 deputetë që ka Kuvendi i Kosovës. Matematikisht ekzistojnë 78 vota, pa llogaritur votat e Srpska-s. Kurse nëse edhe këta të fundit i thonë “PO”, atëherë aprovimi i saj është punë e kryer.