Haris Kelmendi, pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, është arrestuar të enjten në mbrëmje për herë të dytë, nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Në një video të publikuar shihet keqtrajtimi i një 18 vjeçari nga polici Haris Kelmendi në vitin 2018, vepër kjo për të cilën i njëjti u arrestua të enjten.
Lidhur me video-incizimin e publikuar të premten ka reaguar i riu Leotrim Rama, që si 18-vjeçar u keqtrajtua nga polici, duke sqaruar edhe një herë ngjarjen e ndodhur në vitin 2018.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në stacionin e policisë është goditur nga polici Haris Kelmendi. I riu rrëfen se në momentin e rrahjes, aty ishin të pranishëm edhe 4-5 zyrtare të tjerë policorë duke incizuar.
“… siç shihet në këtë video 10-15 sekondëshe keqtrajtimi, malltretimi, dhuna psiqike dhe fizike këtu ka qenë fundi i rrahjes sime 2 orëshe nga te gjithë policët e ndërrimit të asaj nate… ku ne fund pas gjithë asaj sjellje kolegët e Harisit m’u drejtuan ‘Qe një cigare prej neve’. Unë gjithashtu kërkova ta thërras edhe ndihmën e shpejtë, pasi isha i rrahur aq keq e i dhunuar, e ceku fizikisht dhe psiqikisht… ata mu drejtuan ‘hajt se s’ki nevojë se mirë je’. Pas gjithë dhunës që m’u shkaktua atë nate, kisha presion nga policia që ta ndërroja deklaratën time se gjoja unë kam pasur armë tjetër (revole) në makinë dhe shoku im më ka kërcënuar për tu larguar nga policia, ishte vetëm një propagandë e Harisit dhe kolegëve të tij”, ka shkruar Rama transmeton Telegrafi.