Flet Kurti: I kuptojmë shqetësimet e partnerëve, çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtare, por çdo opsion tjetër sipas tij, do ishte mospërmbushje e obligimeve të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj.

Kurti, potencoi se objekti i komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit të Kushtetutës, raporton Klankosova.tv.

“Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër”, shkroi Kurti.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”.

I pari i ekzekutivit ka ftuar të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë më kryetarët e rinj.

“Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”.

Ai ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror në mbrojtje të sundimit të ligjit.

“Dëshiroj të falenderoj pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit. Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit”. /Klankosova.tv.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme