FMN plot lëvdata për Kosovën

Ministri i Financave Avdullah Hoti po udhëheqë delegacionin e Kosovës në takimet Pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kësaj vizite Hoti, së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës z.Bedri Hamza dhe delegacionin e Kosovës, u takuan me  Jacques Miniane udhëheqësin e Misionin të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën.

Në këtë takim u diskua për progresin e arritur në zbatimin e programit të ka Kosova me FMN, si dhe hapat që duhet të ndërmerren për të përmbyllur këtë program me sukses.

Me këtë rast Miniane përgëzoi autoritetet kosovare për angazhimin e tyre në zbatimin me sukses të plotë  të programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në veçanti uroi delegacionin për përmbylljen me sukses të rishikimit të dytë dhe të tretë të programit.

Në takim u diskutuan në detaje edhe hapat e ardhshëm që duhen të ndërmerren nga institucionet e Kosovës për rishikimin e fundit dhe për përmbylljen me sukses të programit.