Gazetare: Fatlume Dervishi
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen, të premten në Shkup pritet të përcjellë mesazhet e Brukselit për procesin e intgerimit të vendit. Agjenda e saj parashikon takim me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska Davkova. Tureun ballkanik e fillon nesër në Tiranë.
Vizita e saj në vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor vjen pak javë para publikimit të raportit të progresit kurse korrespondon me raportimin jozyrtar të mediave për një hartë të qartë rrugëtimi për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Plani len jashtë parashikimeve Maqedoninë. Kryeministri Mickoski nuk është i bindur për vërtetësinë e këtyre informacioneve të cilat i quan të palogjikshme.
“Duke pasur parasysh se ne realizojmë pjesën më të madhe të reformave që janë pjesë e Agjendës së reformave dhe Planit të rritjes, edhe atë dy periudha raportuese radhazi dhe nëse qasja në BE është proces përmes të cilit vlerësohen kandidatët në bazë të meritave, atëherë për mua është e palogjikshme, nëse është e vërtetë. Por fillimisht duhet ta shohim a është e vërtetë. Informacionet e mia thonë se nuk është ashtu”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
LSDM-ja akuzon pushtetin për izolimin e vendit. Sipas kreut të kësaj partie Venko Filipçe, qeveria duhet të sqarojë se si planifikon ta zhbllokojë procesin.
“Çfarë do të bëjmë, a kemi plan apo do të vazhdojmë të jemi të izoluar? Nuk i kalojnë më gënjeshtrat kryeministrit. Ka ndërtuar mur rreth vendit. Prezantohet si mbrojtës i interesave shtetërore, identitetit, gjuhës por gjithçka është gënjeshtër por të gjitha gënjeshtrat e tij ranë në ujë”, tha kreu i LSDM-së Venko Filipçe.
Mickoski mbetet në qëndrimin se për të zhbllokuar eurointegrimet, në negociatat me Sofjen duhet të kyçen edhe përfaqësues ndërkombëtarë të BE-së dhe NATO-s.
“Është e logjikshme të ulemi dhe të bisedojmë në praninë e përfaqësuesve të BE-së sepse duhet të dëgjohen argumentet në mënyrë objektive. Kështu kur ne ulemi dhe bisedojmë në nivel bilateral, ajo për të cilën bisedojmë nuk ka asnjë thelb dhe as raportimi për ato takime nuk është ashtu si kemi biseduar në ato takime. Nëse argumentet nuk qëndrojnë atëherë ne jemi të gatshëm ti pranojmë argumentet e tjera”, shtoi Mickoski.
Në prag të vizitës së Fon Der Lajen, mediat raportojnë se Komisioni Evropian do të propozojë kufizimin e disa të drejtave për anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian, si dhe kalimin në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar, në vend të unanimitetit, në disa fusha, përfshirë edhe zgjerimin. Strategjia pritet të publikohet dhe të miratohet më 7 tetor./Alsat.mk
The post Fon Der Lajen të premten në Shkup, harta e zgjerimit len jashtë Maqedoninë appeared first on Alsat.



