E gjithë bota është tronditur nga dhuna e terrori i ushtruar këto ditë nga autoritetet izraelite mbi popullsinë palestineze në Jeruzalemin Lindor.
Policia izraelite është përpjekur prej javësh t’u ndalojë palestinezëve hyrjen në Qytetin e Vjetër gjatë Ramazanit, forcat izraelite të sigurisë kanë sulmuar Xhaminë Al-Aksa gjatë kryerjes së faljeve, dhe shumë familje palestineze gjenden nën kërcënimin e dëbimit me forcë nga shtëpitë e tyre në lagjen Shejh Xherrah të Jerusalemit Lindor.
I gjithë ky terror është ushtruar në një muaj të madhërishëm për muslimanët, në një vend të shenjtë për ta, pa respektuar për asnjë çast shenjtërinë e momentit dhe të vendit. Qindra palestinezë janë lënduar, janë arrestuar, janë rrahur.
Përshkallëzimi i dhunës ka prekur Gazën, ka sjellë gjakderdhje dhe viktima te palestinezët. Nuk janë kursyer as fëmijët, e të moshuarit, viktima të dhunës izraelite.
Konflikti izraelito-palestinez ka marrë sërish flakë; një tension i përhershëm i shtuar fillimin e kësaj jave dhe nga përgatitja e izraelitëve të së djathtës ekstreme për marshimin e përvitshëm provokues në Qytetin e Vjetër në kremtim të “Ditës së Jerusalemit”, ditës së pushtimit së Jerusalemit Lindor në luftën e 1967-s, i njohur si akt i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar.
Kjo dhunë është e papranueshme, veçanërisht në një muaj të tillë, në një kohë Ramazani, agjërimi e përkushtimi fetar. Ajo nuk mund të legjitimohet, përballë saj heshtja është e dënueshme po aq sa vetë dhuna. Një pjesë e faktorit ndërkombëtar ose ka bërë sikur nuk e ka parë, ose e ka ngritur zërin pak, ose ka vënë shenjën e barazimit mes dhunuesit dhe të dhunuarve. Reagimi është dëgjuar vetëm kur dhuna e ka kaluar cakun. Më të zëshëm e kanë patur reagimin vende me shumicë muslimane, të solidarizuara me palestinezët dhe vuajtjet e tyre.
Për t’u përshëndetur është qëndrimi i patundur i Turqisë dhe vendosmëria e saj në dënimin e politikës provokuese dhe agresive të Izraelit. “Izraeli mban përgjegjësinë e vetme për çdo dhunë,” shkruan në një reagim në Twitter zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, İbrahim Kalın. “Bota duhet të veprojë për ta ndaluar këtë agresion të pafund izraelit kundër civilëve të paarmatosur në tokën e tyre.”
Një reagim i fortë ka ardhur dhe nga patriarkët dhe krerët e Kishave të Jerusalemit, deklarata e përbashkët e të cilëve thotë: “Këto zhvillime shqetësuese, qoftë në Al-Aksa apo në Shejh Xherrah, cenojnë shenjtërinë e popullit të Jerusalemit dhe të Jerusalemit si Qyteti i Paqes. Të papranueshme janë veprimet, që minojnë sigurinë e adhuruesve dhe dinjitetin e palestinezëve, të cilët dëbohen prej pronës së tyre.”
“ALSAR” e dënon ashpër dhunën izraelite, cenimin e shenjtërisë së xhamisë el-Aksa, e shtypjen flagrante të të drejtave njerëzore të palestinezëve, brutalitetin izraelit në Jerusalemin Lindor gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit dhe në çdo kohë tjetër.
Dënojmë gjithashtu ashpër vrasjen e civilëve e të fëmijëve në veçanti, si dhe heshtjen për mizoritë në kurriz të palestinezëve!
Ngritja e zërit kundër dhunës është ftesë për arsyen! Brutaliteti në Jerusalemin Lindor duhet të marrë fund! Brutalitetin ndaj besimtarëve dhe shenjtërisë së Al-Aksasë nuk ka gjë që ta përligjë!