Ne shqiptarët e Çamërisë nderojmë kujtimin e çdo të rëni në luftën kundra pushtuesve nazi-fashistë përfshi edhe 49 civilëve grekë të ekzekutuar në vitin 1943 në Paramithi dhe dënojmë pa asnjë rezervë krimin ndaj tyre. Dhimbja e familjeve të tyre meriton respekt. Por pikërisht ky respekt na detyron të kundërshtojmë përdorimin që i bëhet viktimave greke për të fajësuar një popullatë të tërë dhe për të lënë në heshtje civilët, bashkëqytetarët shqiptar të 49 viktimave greke, të masakruar e të dëbuar nga i njëjti qytet.
Përkujtimi në Paramithi, kur shoqërohet me akuza kolektive ndaj çamëve dhe nderim të vrasësit, merr një domethënie të qartë politike.
Qyteti paraqitet vetëm si vend i martirizimit grek, ndërkohë që harrohet 27 Qershori i 1994 kur në Paramithi nuk mbeti oborr shtëpie pa u larë me gjak shqiptari nga forcat e EDES-it. Në këtë qytet janë mbi 700 viktima shqiptare, të moshuar, gra, fëmijë dhe njerëz të pa armatosur të cilët u masakruan për të cilët Presidenti i një shteti anëtar i BE, nuk thotë asnjë fjalë, edhe pse këta ishin shtetas grek.
Përgjegjësia penale është individuale. Çdo person që ka bashkëpunuar me pushtuesin apo ka kryer krime duhet të identifikohet mbi prova konkrete. Por asnjë krim individual nuk justifikon masakrimin, dëbimin apo ndëshkimin e fëmijëve, grave, të moshuarve dhe civilëve të pafajshëm.
Presidenti përmend gjyqin e Gjykatës Speciale të Janinës të vitit 1946, po pse nuk nuk e bën publik këtë vendim, bashkë me emrat e të dënuarve?! Zbardhja e këtij vendimi do të na ndihmonte të dy palëve të njiheshim me krimet konkrete, për të cilat akuzohen 1930 shqiptarë të dënuar nga gjykata speciale e Janinës. Mungesa e transparencës zyrtare greke lë vend për të besuar se ky gjyq u përdor politikisht për të mos lejuar kthimin e çamëve në shtëpitë e veta. Dhe në respekt të së vërtetës shteti shqiptar, Ministria e Jashtëme nëpërmjet ambasadës tonë në Athinë duhet të kërkoj një kopje të këtij vendimi, me të cilin të dënuarit nuk u njohën kurrë duke u pamundësuar apelimin në një gjykatë të nivelit më të lartë.
Edhe më shqetësuese është lidhja që Presidenti grek bën ndërmjet këtij rrëfimi historik dhe anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqipëria ishte një vend i pushtuar nga fashizmi dhe nazizmi. Veprimet e individëve apo të strukturave bashkëpunëtore nuk mund t’i ngarkohen kolektivisht shtetit shqiptar. Pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë nuk u pranuan në procesin e Konferencës së Paqes të Parisit dhe Shqipërisë iu njoh e vërteta e luftës antifashiste duke e renditur në krahë të aleatëve. Greqia nuk mund të rikthehet sot përmes një rrëfimit të presidentit që i atribuon Shqipërisë përgjegjësi të paprovuar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet të kërkojë sqarime zyrtare: çfarë përgjegjësie konkrete i atribuohet Shqipërisë, mbi cilat dokumente dhe përse kjo lidhet me integrimin e saj evropian? Ky mesazh i Presidentit grek është kërcënues për procesin e anëtarësimit dhe nuk duhet të kalojë pa përgjigje institucionale.
Kemi kërkuar vazhdimisht që çështjet historike të shqyrtohen nga historianët, mbi dokumente dhe prova, dhe të mos përdoren nga politika për stigmatizim apo presion diplomatik. Hapja e arkivave greke, përfshirë dosjet gjyqësore dhe pronësore, dhe ngritja e një tryeze të përbashkët mes historianëve shqiptarë e grekë do të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjeve, përcaktimin e përgjegjësive jo vetëm individuale por edhe institucionale.
Kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë për drejtësi, kthimin në shtëpitë e veta dhe shqyrtimin e të drejtave pronësore nuk janë armiqësi ndaj popullit grek. Ato mund dhe duhet të trajtohen në frymën e dialogut dhe të parimeve evropiane.
Viktimat greke dhe viktimat dhe shqiptare në Çamëri meritojnë të njëjtin dinjitet. E vërteta kërkon prova, drejtësia kërkon përgjegjësi individuale dhe marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona kërkojnë dialog, jo kërcënime nga vendi i krimit.
Alket VELIU
The post Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”: Presidenti grek kërcënon integrimin e Shqipërisë nga vendi i masakrës së shqiptarëve në Çamëri appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



