Forca të shumta policore në aksionin anti-kovid në Kumanovë

Gazetar: Adnan Qaili

– Advertisements –

Forca të shumta policore u vërejtën në aksionin anti-kovid gjatë fundjavës në Kumanovë. Njësitë policore me jelekë anti plumb dhe armë morën pjesë në sigurimin e Inspektorëve të Tregut, të cilët kryen dhjetëra kontrolle në të gjithë territorin e shtetit. Afaristët ankohen se kanë shkaktuar shqetësim dhe frikë te klientët e pranishëm në objektet gastronomike. Në Kumanovë iu vu dryni 4 lokaleve vetëm gjatë fundjavës.

“Për shkak të pranisë së shumë klientëve në një objekt është e nevojshme më shumë policë që të kontrollojnë më shpejtë, por jemi gjendur edhe në situata që klientët kanë bërë probleme të caktuara dhe nuk kemi pasur mundësi të kryejmë kontrollet adekuate apo të zbatojmë procedurat. Ne nuk kemi kërkuar diçka të tillë, MPB e bën vlerësimin me sa persona, ku dhe si do të veprojë”, tha Aneta Simeska Dimovska, Drejtoreshë e Inspektoratit të Tregut.

Menaxheri i njërit nga restorantet tha se personeli i tyre ka kontrolluar certifikatat e vaksinimit në hyrje, por që gjatë kontrollit të inspektoratit dhe policëve tre prej tyre nuk kanë treguar të njëjtat për t’i ikur gjobës për deklaratë të rrejshme dhe si pasojë kompania ka pësuar dënime dhe mbyllje prej 10 ditësh.

“Ishin disa klientë në objektin tonë, ku redari i ka kontrolluar dhe ata treguan certifikata të vaksinave, por pas ardhjes së Inspektoratit të njëjtit janë paraqitur se nuk kanë vaksina. Ne nuk kemi të drejtë ti legjitimojmë për vërtetësinë e dokumentit. Kanë mbyllur lokalin për disa ditë dhe në atë aspekt dëmtohen jo vetëm ne si biznes por edhe 50 familje të 50 punonjësve që punojnë në lokalin tonë”, u shpreh Milazim Fazliu, Menaxher i Restorantit “Arcus” Kumanovë.

Nga drejtoria e Inspektoratit të tregut thonë se kjo është një mangësi ligjore që kontrollorët nuk kanë të drejtë të legjitimojnë vërtetësinë e certifikatave. Për mos respektimin e protokolleve anti-kovid, sikurse mos pasja e certifikatave të vaksinimit apo numri më i madh i klientëve se sa e lejuara, drejtoresha Dimovska thotë se nuk gjobitin personat fizik dhe barrën e certifikatave të rrejshme nëse nuk e konstaton policia në vendngjarje, e bartin objektet gastronomike me gjoba të majme prej mijëra eurove.

“Si kanë hyrë klientët unë nuk e di, por kemi pasur edhe raste të tjera që në mënyrë identike janë ankuar gastronomet se gjatë hyrjes klientët tregojnë një dokument, por kur legjitimohen nga policët ata thonë se nuk kanë certifikatë. Mund të kenë përdorur certifikatë të rrejshme për të hyrë dhe e keqpërdorin atë”, deklaroi Aneta Simeska Dimovska, Drejtoreshë e Inspektoratit të Tregut.

Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se përveç mbylljes së 7 objekteve në fundjavë, në raportin e 6 muajve të fundit Inspektorati ka konstatuar 37 parregullsi tjera për mosrespektim të masave anti-kovid. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme