Forcat izraelite shkelin armëpushimin duke hapur zjarr në Gazën qendrore, 1 palestinezë i vrarë dhe 5 të plagosur

Një palestinezë është vrarë dhe pesë të tjerë, përfshirë një fëmijë, janë plagosur nga të shtënat izraelite në Rripin e Gazës, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit në enklavën palestineze, raporton Anadolu.

Një burim mjekësor bëri të ditur se një i ri u qëllua dhe u vra nga forcat izraelite në qendër të Rafahut në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Forcat e ushtrisë izraelite gjithashtu hapën zjarr ndaj një grupi civilësh të zhvendosur që prisnin të lejohen të kthehen në veri të Gazës, duke plagosur pesë persona, përfshirë një fëmijë.

Sipas burimeve mjekësore dhe dëshmitarëve okularë, incidenti ndodhi në rrugën Al-Rashid, pranë zonës Taba Al-Nawari në perëndim të kampit të refugjatëve Nuseirat, derisa palestinezët e zhvendosur prisnin të lejohen të kthehen në Gazën veriore në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.

Një burim mjekësor në Spitalin Al-Awda në kampin e refugjatë Nuseirat konfirmoi mbërritjen e pesë individëve të plagosur, përfshirë fëmijën.

Dëshmitarët raportuan se qindra palestinezë të zhvendosur kanë kaluar natën në ambiente të hapura me temperatura të ftohta, derisa prisnin lejen për t’u kthyer në shtëpi.

Sipas dëshmitarëve, automjetet ushtarake izraelite të pozicionuara përgjatë Korridorit Netzarim, një zonë që ndan Gazën veriore dhe jugore, hapën zjarr ndaj grupit të personave të zhvendosur që prisnin që ushtria izraelite të tërhiqet dhe t’u lejojë atyre të kthehen në veri sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Autoritetet izraelite kanë refuzuar të lejojnë kthimin e banorëve palestinezë në Gazën veriore derisa Arbel Yehud të lirohet. Hamasi konfirmoi se pengu do të lirohet gjatë shkëmbimit të ardhshëm.

Faza e parë 6-javore hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur rreth 111 mijë të tjerë.

Në ditën e parë të armëpushimit, Izraeli liroi 90 të burgosur palestinezë në këmbim të tre pengjeve izraelite të liruar nga Hamasi.

Dje, Hamasi liroi katër pengje izraelite në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë.

Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme