Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj sot në Bruksel ka zhvilluar një sërë takimesh në Parlamentin Evropian.
Me takimin me eurodeputetët, u formua edhe zyrtarisht Grupi i Miqësisë ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kosovës. Ministri Hoxhaj falënderoi Lunacek dhe euro-deputetët e tjerë për bashkëpunimin dhe konkretizimin e kësaj ideje të nisur muaj më parë, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.
“Sot ka qenë një ditë e veçantë në Parlamentin Evropian meqë është themeluar grupi i miqësisë në mes të Parlamentit Evropian dhe Kosovës, që do të jetë një platformë e mirë e mbështetjes së Kosovës në agjendën evropiane. Ndërsa, kam pasur mundësinë edhe që të raportoj për zhvillimet në Kosovë pranë Komisionit për Politikë të Jashtme, dhe të kërkoj mbështetjen e shumë deputetëve të parlamentit evropian për liberalizimin e vizave”, ka thënë Hoxhaj.
Eurodeputetja Ulrike Lunacek ka vlerësuar se formimi i Grupit të Miqësisë është një ngjarje e rëndësishme pasi që mund të zhvillohen takime dhe debate jo formale për tema të ndryshme të rëndësishme.
“Formimi i Grupit të Miqësisë është i rëndësishëm sepse nënkupton që do të ketë mundësi të zhvillohen takime dhe debate joformale me njerëz si ministri Hoxhaj, apo shefat e Komisioneve Parlamentare për Integrime dhe Punë të Jashtme ku do të mund të diskutohen temat në mënyrë më joformale”, ka deklaruar Lunacek.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Europiane, Njomza Emini dhe Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reqica e kanë vlerësuar të rëndësishëm formimin e këtij grupi dhe nevojën e bashkëpunimit sa më të afërt me europarlamentarët.
Kryediplomati kosovar, Hoxhaj ka zhvilluar një takim me deputetët e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian – AFET, të cilët i ka njoftuar për progresin në agjendën evropiane, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe kanë diskutuar për pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
© KOHA.