FOTO/ Jeta dhe vdekja e minatorëve të kromit në Bulqizë

BULQIZË – Në të gdhirë të ditës së shtunë, në rrugën dredharake të mbushur me gurë që të ngjit drejt galerive kromit në Bulqizës, nuk dëgjohej gjë tjetër veçse zhurmës së erës që rreh shpatin e malit, lehjes së qenve endacakë dhe këngës së korbave që fluturojnë mbi qytetin minerar.


Rreth orës 06 e 15 minura drejt malit filluna të ngjiten minatorët e parë dhe gratë e minierave -apo të stogjeve të kromit siç quhen ndryshe në qytezë, me qeset e veshjeve në duar për t’u ndërruar me uniformën e punës, e për të filluar punën në nxjerrje të gurit të ‘zi me xixa’ – siç njihet kromi nga banorët vendas.

Minatore duke u ngjitur drejt hyrjes se minierës për të filluar turnin e parë të punës, në të gdhirë | Foto BIRN/Nensi Bogdani

Një minator i ri, duke pirë cigaren e fundit përpara fillimit të turnit nëntokë | Foto: BIRN/Nensi Bogdani

“Dita fillon nëntokë, pa dritë, dhe ashtu mbaron. Sa dalim nga puna, pas disa orësh errësohet. Më duket sikur më shkon dita hiq e vish rrobat, e asgjë më tepër”, ironizon teksa vë buzën në gaz në formë ngërdheshje një minator 45-vjeçar që punon në minierën e Albchrome prej 5 vitesh.

Minatorë të një kompanie të vogël private, duke filluar turnin e parë të punës, në të gdhirë | Foto: BIRN/Nensi Bogdani

Ai tregon se puna në minierë është me tre turne, dhe turni i tretë (i natës) nëntokë nuk është aspak e lehtë.

“Kur familjarët e mi veshin rrobat e gjumit, unë vesh rrobat e punës”, shtoi minatori.

Bardhyli, minator prej 10 vitesh | Foto : BIRN/ Nensi Bogdani

Stogjet e kromit pranë minierave të Bulqizës Foto: BIRN/ Nensi Bogdani

Minatori 45-vjeçar i tha BIRN se puna e tyre është e tillë, dhe ata i kanë marrë parasysh rreziqet që kur kanë përqafuar profesionin, por sipas tij pikërisht për vështirësinë dhe rreziqet që sjell ky profesion, minatorët duhet t’i kishin pagat shumë herë më të larta.

Minatorët përpara fillimit të turnit të parë. Minatoret e Albchrome punojnë me 3 turne, teksa turni i natës është pothuajse i papërballueshëm për to, ndërsa minatorët e kompanive të vogla private vetem me një turn | Foto: BIRN/Nensi Bogdani

Paga minimale neto e një minatori të thjeshtë fillon përafërsisht prej 50 mijë lekësh dhe ajo maksimale arrin deri në 70 mijë lekë. Paga e vagonistëve është shumë herë më e ulët.

Minatorët teksa shkembejnë turnet në dalje të minierës së Albchrome në Bulqizë Foto: Nensi-Bogdani

Minierat e Bulqizës, si edhe minierat e tjera në Shqipëri, kanë sjellë jo pak aksidente me pasojë dëmtime ose vdekjen e minatorëve.

Varret e dy minatorëve, të vdekur në aksidente gjatë punës në minierat e Bulziqës Foto: BIRN/Nensi Bogdani

Fatbardha Karaj, 48-vjeçe, e ve prej 14 muajsh, ka humbur bashkëshortin e saj, Fiqiri Karaj, pikërisht si pasojë e një aksidenti gjatë punës së tij në minierë.

Fatbardha Karaj, e veja e Fiqiri Karaj, me dy vajzat e saj 9 dhe 18 vjeç, duke mbajtur në dorë fotografine e bashkeshortit | Foto: BIRN/Nensi Bogdani“Më morën në telefon më thanë përgatit shtëpinë se është vrarë daja”, tregon Fatbardha ndër lotësh, e veshur e tëra në të zeza,  teksa pranon se të vërtetën e rrethanave të aksidentit nuk e di askush përveç bashkëshortit të saj të ndjerë.

“Ishim moshatarë. E kujtoj në çdo moment, kur zgjohem në mëngjes, kur dal në punë, kur rri në shtëpi më fëmijët”, tregon ajo.

Fabardha jeton në një shtëpi me kushte të vështira ekonomike së bashku me 3 vajzat e saj, mamanë dhe vjehrrën.

Fatbardha detyrohet të punojë në stogje në mënyrë që të mbajë e vetme familjen, pasi dëmshpërblimi që ka marrë për vdekjen e bashkëshortit  sipas saj nuk mjafton as për riparimin e shtëpisë. Fatbardhës tani i duhet të përballojë financiaritsht e vetme shkollimin dhe të ardhmen e tre vajzave të saj 9, 17 dhe 18-vjeçare.

Fatbardha Karaj, e veja e Fiqiri Karaj, i vdekur prej 14 muajsh, duke mbajtur në dorë fotografinë e bashkëshortit Foto: BIRN/Nensi Bogdani

“Më thanë që është thyer ‘katrorja’ dhe e ka zënë materiali…po veç ai e di të vërtetën”, shpjegon Fatbardha me një mimikë që tregon se ajo nuk i kupton terma të tillë, lidhur  me shkaqet e vdekjes se Fiqiriut.

Si Fatbardha, shumë gra të tjera detyrohen të punojnë për të mbajtur të vetme ekonomikisht familjen e tyre në Bulqizë.

Gratë të cilat kryesisht punojnë në të zezë duke mbledhur krom në stogje, nxjerrin maksimumi rreth 200 lekë të reja në ditë | Foto: BIRN/Nensi Bogdani

Në stogjet pranë minierës së Albchrome, teksa afron orari i mbarimit të turnit për shumë minatorë, një grua e veshur në të zeza endet në rrëpirën e gurores me një kovë të bardhë në dorë.

Një kove krom, e cila blihet per 150 lekë të reja | Foto: Nensi Bogdani

“Kam 4 orë që kërkoj krom…dhe kam mbushur vetëm këtë kovën e vogël”, shprehet ajo mbi luftën e saj të përditshme në kërkim të mineralit.

“4-5 orë çdo ditë,për 150 lekë të reja”, thotë gruaja 55-vjeçare në kushtet e anonimatit, pasi ajo punon në të zezë për të mbajtur bashkëshortin invalid dhe vjehrrit në shtëpi.

Një tjetër problematikë që minatorët hasin dita-ditës është mosha që ato dalin në pension.

Ata shprehen se kushtet e punës në miniera janë të tilla që minatorët apo punëtorët e minierave duhet të dalin në pension shumë më herët se profesionet e tjera, pasi ata konsumohen nga ana shëndetësore vetëm në 10 vite punë.

“Ne duhet të dalim në pension që 55 vjeç”, thotë një grua e cila punon në stogjet e mineralit. “Nuk na punojnë më duart për asgjë”.

Gratë e stogjeve duke u kthyer nga turni i parë i punës| Foto: BIRN/Nensi Bogdani
Kromi përshkruhet ndryshe dhe si “Guri i zi me Xixa,” Foto: BIRN/Nensi Bogdani

“10 vite nën tokë mjaftojnë për të të konsumuar e për të të dhënë mjaft probleme shëndëtësore. Nëntoka nuk ka ajër, as dritë, ka shumë lagështirë”, shprehet Elton Debreshi, kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, familja e të cilit prej brezash i janë përkushtuar minierave.

Jo vetëm minatorët, të cilët ngurojnë të shprehen mbi kërkesat e tyre për shkak se ndihen të frikësuar për humbjen e vendit të punës, por edhe vetë një pjesë e administratës private, e pranojnë vështirësinë që ky profesion përbën për Bulqizakët.

Minatorët varin rrobat per ajrim pranë dhomave të zhveshjes | Foto BIRN/Nensi Bogdani

“Është realisht profesion i vështirë… atyre u takon ‘statusi i minatorit’. Por e vërteta është se miratimi i statusit ka shumë kosto, prandaj dhe ky proces është shtyrë prej vitesh”, u shpreh njëri prej drejtuesve të një brigade minatorësh, nën kushtet e anonimatit.

Minatorët e Bulqizës, kanë vite që kërkojnë miratimin e “statusit të minatorit”, i cili do t’u sillte jo pak përfitime dhe mbrojtje sociale.

Minatorë përpara fillimit të turnit të punës | Foto: BIRN/ Nensi Bogdani

Shpërblimet, pagat, mosha e daljes në pension dhe shuma e pensionit do të ishin shumë herë më të mira për minatorët nëse ky status do të miratohej.

“E mira është që ka frymë përsëri midis minatorëve. Ata po rizgjohen për të drejtat e tyre”, përfundoi Debreshi.

Miniera e Albchrome në perëndim të diellit | Foto: BIRN/Nensi Bogdani

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme