Personi në foto është 29-vjeçari Ermir Dedja, i cili u vra në një atentat me armë zjarri në Durrës, pak pas mesnatës së të hënës (20 maj).
Mësohet se i riu sapo kishte zbritur nga automjeti i tij kur autorët, ende të paidentifikuar, i zunë pritë dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi.
29-vjeçari ishte me origjinë nga Shijaku, por jetonte në Durrës. Ai kishte jetuar kohët e fundit në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.
Dinamika
Mësohet se ai fillimisht mbeti i plagosur dhe kanë qenë banorët e zonës në vendin e ngjarjes, të cilët e transportuan në spital, por për shkak të plagëve të marrë ai ndërroi jetë.
Po ashtu mësohet se plumbat e kallashnikovit kanë prekur edhe qendrën shëndetësore, që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të ndodhur në zonë për të hedhur dritë mbi identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.
I riu, me origjinë nga Shijaku dyshohet se ditën e djeshme ka pasur konflikte me disa persona, të cilët i zunë pritë në lagjen ku ai banonte.
Po ashtu raportohet se ai gjatë ditës ka qenë në mbikëqyrje, duke ndjekur çdo lëvizje të tij.
Durrës/Informacion paraprak
Më datë 20.05.2025, në orën 00:50, në lagjen nr. 18 Durrës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.