Drejtuesi i automjetit “G Class”, që përplasi në Tiranë një çift e foshnjën e tyre tremuajshe mesditën e kësaj të diele është vënë në pranga.
Mësohet se 39-vjeçari Ajas Sulejmani u kap në një nga spitalet private të kryeqytetit dhe më pas u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.2.
Më herët gjatë ditës së sotme, Vilma dhe Arjan Konomi janë përplasur nga Sulejmani, i cili në momentin e aksidentit po drejtonte mjetin e tij “Mercedes Benz G Class”. Përplasja ndodhi te vijat e bardha në rrugën e Kavajës, teksa të lënduarit po kalonin në anën tjetër bashkë me foshnjen e tyre 3 muajshe.
Pasi i përplasi, shoferi i mjetit, 39-vjeçari Ajas Sulejmani është larguar dhe i ka lënë të plagosurit në vendin e ngjarjes. Gazeta Shqiptare mëson se të lënduarit janë në mjekim intensiv në spitalin e Traumës, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq, kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë vrapuar për t’u dhënë ndihmën, më pas të plagosurit janë transportuar në spitalin e Traumës. Policia është vënë në kërkim të shoferit i cili rezulton i skeduar nga autoritetet angleze, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike.




