Një atentat i mirëfilltë është organizuar ndaj një 27-vjeçari ditën e sotme teksa po lëvizte me makinë. Mësohet se makinës së 27-vjeçarit i është vënë bombë me telekomandë, e cila është aktivizuar gjatë lëvizjes.
Viktimë ka mbetur Aleksandër Sadikaj, një person i përfshirë në aktivitete kriminale, i cili dyshohet se është përfshirë në një tentativë vrasjeje kohë më parë, por autoritetet nuk kanë siguruar asnjë provë për të vërtetuar përfshirjen e tij.
Rreth 150 gramë ka qenë sasia e tritolit e vendosur në pjesën e përparme të makinës, duke bërë që shpërthimi t’i shkaktonte plagë të rënda 27-vjeçarit. Me këmbë të gjymtuara, plagë të shumta në trup dhe gjakderdhje, Sadikaj arriti që të dalë vetë nga makina pas shpërthimit, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të rënda që mori, ndonëse u transportua në spital.
Sadikaj ka qenë duke udhëtuar nga Tirana drejt Beratit, ndërsa mësohet se jetonte me të ëmën në kryeqytet. Atentati ka qenë i mirëmenduar, pasi shpërthimi i telekomanduar është bërë në një moment kur pranë makinës së Sadikajt, nuk ka pasur asnjë mjet tjetër, ndonëse në aksin TEG drejt kryeqytetit ka pasur një fluks mjetesh duke shkaktuar panik te qytetarët.
Gazeta Shqiptare ka siguruar pamje pak pas shpërthimit, teksa mjeti u përfshi nga flakë të mëdha. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për mbledhur prova që mund t’i çojnë drejt autorëve të mundshëm, ndërsa janë marrë edhe kamerat e sigurisë së një karburanti aty pranë. I pranishëm ishte edhe drejtori i Policisë Kriminale Tiranë, Tonin Vocaj.
Pistë kryesore e hetimeve mbetet e shkuara e të riut. Megjithatë pritet që të shikohet nëse ai ka pasur ndonjë konflikt së fundmi. Për të hedhur më shumë dritë, pritet që të merren në pyetje familjarët e tij
E shkruara kriminale e Aleksandër Sadikaj
Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç, lindur në Berat, banues së fundi në Tiranë, person me precedent të theksuar kriminal, në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.
Më 09.04.2011 është arrestuar në Berat, pasi, së bashku me një person tjetër kanë tentuar të vjedhin në subjektin AlbTelecom-Berat;
Më 30.04.2011 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
Më 31.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Më 23.08.2018, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër;
Më 29.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;
Më 09.07.2019 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë shtetasin A. D., duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup;
Më datë 30.07.2019, Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Gjithashtu, për këtë shtetas, disponohen informacione në rrugë operative se kryente veprimtari kriminale edhe në fushën e narkotikëve.



