Mediat greke kanë publikuar fotot e 11 të rinjve të akuzuar për vrasjen e 19 vjeçarit grek, Alkis Kampanos, javën e kaluar në Selanik të Greqisë.
Mes tyre janë edhe dy shqiptarë, përkatësisht një 23-vjeçar tashmë i arrestuar nga policia dhe një 20-vjeçar, i cili dyshohet se është arratisur drejt Shqipërisë dhe është fshehur në Korçë. Për të, autoritetet greke lëshuan një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Ndërkohë, vetë ky i fundit, duket se ka kërkuar të vetëdorëzohet tek autoritetet greke, teksa mësohet se nëpërmjet një telefonate në orët e para të mëngjesit të sotëm në një zyrë avokatie në Selanik, ai ka kërkuar që ta lërë veten në dorë të drejtësisë për vrasjen e kryer.
Mediat greke gjithashtu kanë publikuar video nga momenti i sulmit brutal ndaj të riut grek, ku shihen autorët, të cilët mbërrijnë në vendngjarje me tre makina, përleshen me Alkis dhe miqtë e tij duke e vrarë 19-vjeçarin dhe plagosur dy të tjerët e më pas janë larguar prej andej me shpejtësi.
Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë tregojnë se gjithçka ka ndodhur në harkun e 80 sekondave.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, policia u vu në ndjekje të grupit të të rinjve, ndërkohë që i pari që ra në prangat e policisë është 23-vjeçari shqiptar. Ai u kap 24 orë pas vrasjes, ndërsa pak ditë më pas u arrestuan tetë persona të tjerë. Ditën e djeshme është dorëzuar në polici 25-vjeçari “Athinas”.
Nga 11, ata që duket se janë përfshirë në hetime janë katër, për të cilët deri më tani janë mbledhur pjesa më e madhe e të dhënave, ndërsa për pjesën tjetër priten detaje.
Në mediat helene janë publikuar gjithashtu edhe disa foto nga vendi i ngjarjes, teksa shihen njolla gjaku në dysheme dhe disa nga sendet e forta të përdorura nga grupi i të rinjve gjatë sulmit fizik mes tyre.
SI NDODHI NGJARJA E RËNDË DHE DEKLARATAT E DËSHMITARËVE:
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 1 shkurtit në Selanik të Greqisë, kur 10 ultras të “Bicepsit të Veriut” sulmuan Alkis Kampanos dhe dy miqtë e tij, të tre tifozë të klubit të njohur helen Arisi i Selanikut. 23-vjeçari shqiptar, Afksendos Çarçiu (Tzarziu) akuzohet si personi i mori jetën studentit 19-vjeçar.Ngjarja e rëndë u fiksua nga kamerat rreth vendngjarjes.
Arrestimi i vrasësit u bë i mundur nga identifikimi i targave të njërës prej automjeteve, ndërsa mediat në Greqi e konsiderojnë shqiptarin e arrestuar një nga huliganët më të rrezikshëm në vend. Javën e kaluar, ai u dënua me 5.4 vite burg për posedim të sendeve të dhunshme si: thika, shufra hekuri, doreza, etj.
Ato u gjetën pas ngjarjes në një zyrë të ultrasve të PAOK-ut (Bicepsi i Veriut). çarçiu i refuzoi kategorikisht të kishte lidhje me këto sende, edhe pse në xhepat e tij u gjetën çelësat e saj. Ai rezulton të ketë dhunuar së bashku me disa huliganë të PAOK-ut një ish-kryebashkiak të Selanikut.
Në një deklaratë për mediat një dëshmitar ka thënë se ka qenë duke hipur në një mjet të bardhë markë BMW ka lëvizur në këmbë drejt 19-vjeçarit dhe dy shokëve të tij. Para se të kuptonin se çfarë po ndodhte, ai filloi të godiste me thikë 19-vjeçarin dhe dy miqtë e tij. I riu ndërroi jetë në vend, ndërsa dy miqtë e tij u dërguan në spitalin Papanikolaou.
Një dëshmitar i dytë, që ka lajmëruar policinë, ka dëgjuar zhurma pas orës 12:30 të së hënës dhe thirrjet e një personi që lutej; “të lutem, mos më godit më “.
Ndërkohë një tjetër dëshmitar është shprehur se ka dëgjuar zëra dhe zhurmë të madhe por nga frika nuk ka dalë nga shtëpia për të parë se çfarë po ndodhte.
“Dëgjova një zhurmë të madhe dhe u tremba. Prandaj nuk dola. Dëgjova fëmijët duke bërtitur. Kam dëgjuar britma”.
DËSHMIA E SHQIPTARIT TË ARRESTUAR:
Mediat greke kanë zbardhur dëshminë e plotë të 23-vjeçarit shqiptar të arrestuar në lidhje me vrasjen e të riut grek pak ditë më parë në Selanik. Ai ka deklaruar se natën që rezultoi fatale për 19-vjeçarin Alkis kishte shkuar në punë dhe më pas ishte takuar me anëtarët e grupit të tifozëve për të ndjekur një ndeshje volejbolli.
“Kur mbërritëm, anëtarët e grupit na thanë se po kërkonin disa tifozë të skuadrës kundërshtare pasi mes tyre ishte regjistruar një episod përplasje. U nisëm nga qendra e Selaniku me tre makina. Por nuk e kishte menduar se ajo natë do të ishte tragjike. Unë kurrë nuk do merrja pjesë në një ngjarje të tillë. Pavarësisht fanatizmit mes dy skuadrave unë kurrë nuk kam menduar të rrezikoj një person për këtë arsye dhe aq më tepër të shkaktoj vdekjen e tij”, është shprehur i riu shqiptar.
Ai thotë se në momentin e sherrit nuk është larguar nga makina e tij, ndërsa sipas tij përplasjen e kanë nisur personat në grupin e tij që ndodheshin në automjetin e tretë.
“Pa e ditur që dikush ishte në rrezik për vdekje disa njerëz të lidhur me skuadrën kundërshtare nisën të vinin drejt nesh duke hedhur sende dhe karrige. Ata që ndodheshin me ne u kthyen me shpejtësi në makinat e tyre. U largova menjëherë duke bërë një manovër me makinë për të shmangur tifozët kundërshtarë që vrapuan pas nesh”, thotë ai.







