FOTO-VIDEO/ Masakrimi nga pronari grek i familjes shqiptare në Patra, flasin fqinjët: Autori i sëmurë psiqik, si u përpoq ta fshihte krimin!

Mediat greke kanë publikuar të tjera detaje të rënda nga masakra në Andravidis, në zonën e Ilias së Patras në Greqi, që duket se tanimë ka marrë një rrjedhë komplet tjetër.


Ngjarja e rëndë, e cila tronditi gjithë banorët e zonës ku jetonte prej dy vitesh çifti shqiptar, së bashku me fëmijët, duket se dita-ditës po nxjerr në pah të dhëna më të forta në lidhje me autorin e saj, që sipas policisë helene, është pronari i shtëpisë, një i sëmurë “psikik”, i cili dyshohet se ka kërkuar që ata t’i lironin shtëpinë dhe të largoheshin prej aty.

Policia greke e ka nxjerrë nga lista e të dyshuarve ish-bashkëshortin e Marias, gruas nga Librazhdi, e cila kishte rindërtuar një jetë të re me Armandon, djalin nga Lushnja me të cilin kishte edhe dy djemtë e vegjël, Arlindin dhe Erlisin, 2 vjeç e gjysmë dhe 1 vjeç e gjysmë.

Ndërsa, i vetmi i mbijetuar i kësaj masakre është djali 12-vjeçar i Marias, i cili jetonte së bashku me të ëmën dhe familjen e tij të re, të cilin e kishte me bashkëshortin e parë. Ky i fundit, menjëherë pas zbulimit të krimit horror, ka qenë i dyshuari i parë i Policisë së Patrës.

Dorëzimi në polici i ish-bashkëshortit të Marias:

Menjëherë sapo është informuar në lidhje me krimin në fjalë dhe dyshimet e policisë, ish-bashkëshorti i viktimës së ndjerë, Maria, është dorëzuar në orët e vona të së mërkurës në Policinë e Athinës, pasi ai është telefonuar nga uniformat blu për t’u paraqitur në rajon.

Ai iu ka thënë autoriteteve se nuk ishte gjendur në shtëpi, sepse kishte qenë në punë dhe se kurrë nuk mund ta bënte një akt të tillë. Sipas të dhënave të mediave greke, ai orëve të para të mëngjesit të djeshëm është nisur në drejtim të Patras për të marrë djalin e tij, i cili ka qenë nën trauma të forta nga skena makabre që ka parë në familjen e tij.

Policia e Patras dhe familja e autorit të dyshuar janë në kërkim të autorit të vrasjes, i cili pas atij momenti është zhdukur në drejtim të paditur. Policia, Prokuroria dhe dëshmitarët kanë folur përgjatë gjithë ditës së djeshme për familjen e re shqiptare që ishte vendosur prej më shumë se dy vitesh në zonën e Ilias, në afërsi të kishës që mban emrin e Shën Konstandinit.

Dorëzimi në rajonin e Lutrakit në Athinë të ish-bashkëshortit të Marias dhe mohimi i përfshirjes së tij në atë masakër, ka bërë që Policia greke ka ndryshuar menjëherë motiv.

Hetimet pas ngjarjes, autopsia zbuloi se ishte vrasje dhe jo krim në familje:

Mjeku ligjor që ka bërë këqyrjen paraprake të kufomave ka hedhur poshtë edhe versionin e fillimit për ngjarjen e rëndë, ku u dyshua se mos ishte një krim brenda familjes.

Ai iu ka thënë Policisë se Maria dhe Armando kanë plagë plumbi dhe më pas janë masakruar edhe me thika. Ndërkohë që, sipas të dhënave që kanë transmetuar për gjatë ditës mediat greke, dy fëmijët janë mbytur me duar.

Dyshimet sipas ekspertëve të Policisë, ndonëse ende nuk e kanë rindërtuar skemën e krimit të rëndë, hedhin dritë mbi faktin se dy bashkëshortët janë vrarë në banesë dhe më pas autori ka tentuar t’i ngarkojë në një tikarroce për t’i larguar nga vendi i ngjarjes.

Por, mesa duket, në atë moment ka ardhur djali i Marias në shtëpi dhe ai është larguar të mos binte në sytë e fëmijës, që për fat ka mundur të shpëtojë.

Mjekët, të cilët kanë mbërritur edhe në vendin e ngjarjes, kanë treguar se në qafën e shqiptarit është gjendur e lënë edhe thika nga agresori, i cili ka menduar për largimin e trupave. Në banesë janë gjendur gjurmë gjaku, çka ka lindur edhe dyshimin e vrasjes brenda banesës.

Por, ajo që bie në sy në dhjetëra dëshmi publike të dhëna nga fqinjë dhe banorë të zonës, është fakti se në momentin e vrasjes nuk është dëgjuar asnjë zhurmë, e aq më pak zhurmë arme.

Fqinjët tregojnë detaje rrëqethëse për autorin dhe skenën pas krimit makabër:

Një fqinj i familjes shqiptare, ka folur mesditën e djeshme për një emision në televizion shtetëror të Greqisë që iu kushtua masakrës së Andravidis. Ai tha se e kishte marrë djalin në dyqan, pasi kishte ardhur Policia për ta mbajtur larg skenës horror.

Ishte përpjekur ta qetësonte dhe të fliste me të dhe ai i kishte treguar se në momentin që ka qenë duke hyrë nga porta jashtë në oborr ka parë një si hije të largohej nga pas shtëpie. Më pas, kur ka parë prindërit e vrarë ai nuk është kujtuar më ta ndiqte, pasi ka hyrë në banesë për të gjetur dy vëllezërit e vegjël, me idenë për t’i mbrojtur.

Po ashtu, fqinjë të tjerë të familjes së shqiptarëve dhe të grekut që dyshohet të jetë autori i masakrës i kanë thënë medias se personi ka qenë shumë vite i shtruar në spital për problemet e shëndetit mendor.

Ai kishte qenë i martuar dy herë dhe të dy herët ishte ndarë për shkak të terrorit që bënte në shtëpinë e tij. Nuk dihet se si është lënë i lirë dhe i pakontrolluar ai person, derisa arriti të kryejë edhe vrasjen e katër pjesëtarëve të familjes shqiptare.

Dëshminë e një tjetër dëshmitari ka transmetuar emisioni. Ka qenë nëna e një djali grek, fqinjë me familjen shqiptare, e cila ka thënë publikisht se ata ishin një familje shumë e edukuar, duke treguar edhe një episod me djalin e madh të Marias.

Ajo ka treguar se njëherë kishin luajtur bashkë djemtë dhe ajo nga kënaqësia e kishte ftuar të hante diçka jashtë bashkë me ta fëmijën shqiptar dhe për ta respektuar ia ka ofruar pjatën e parë atij dhe ka lënë të birin e saj për pjatën e radhës.

Por, fëmija shqiptar ka pritur derisa në tavolinë të vinin të tria pjatat. Kur gruaja greke e ka pyetur se pse nuk po fillonte, ai i kishte thënë se nuk fillonte dot derisa të vinin të gjitha pjatat në tavolinë. Ajo tregoi se kishte mbetur e habitur nga një veprim aq dinjitoz i një fëmije që nuk e kishte hasur në raste të tjera.

Familja e Marias pajton avokat grek për të ndjekur çështjen në shtetin fqinj:

Sipas të dhënave të mediave greke, bëhet me dije se familja e Marias ka pajtuar një avokat grek për të ndjekur çështjen në shtetin grek. Ndërkohë që katër trupat e pajetë të Armandos, Marias, Arlindit dhe Erlisit, gjenden në morgun e Patras, Policia vijon ta mbajë nën kontroll të rreptë të gjithë rajonin.

Deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, Policia greke nuk ka lajmëruar për arrestimin e personit që po kërkon, ndërkohë që djali i mbijetuar i është kthyer të atit dhe do të jetojë me të tashmë në Athinë.

Autoritetet policore greke kanë autorizuar autoritetet shqiptare që të lajmërojnë familjarët e viktimave për tërheqjen e trupave, ndërkohë kanë bërë me dije se së shpejti autori i asaj masakre do të jetë në pranga.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme