Rrjeti i madh televiziv amerikan, Fox News, raporton se administrata e presidentit Joe Biden është distancuar nga grupi i muxhahedinëve iranianë, të vendosur në Shqipëri prej disa vitesh.
Por deklaratat kanë hasur në kritika të forta nga ish-zyrtarë dhe ligjvënës amerikanë, të cilët thonë se kjo është një tradhti flagrante ndaj popullit iranian.
Ky distancim i dukshëm i administratës së Biden ka ngjallur kritika të ashpra nga një numër ish-ligjvënësish dhe zyrtarësh amerikanë nga të dy krahët e politikës, që thanë në një deklaratë se po kërkohet të qetësohet regjimi iranian, duke kritikuar disidentët.
Deklarata është nënshkruar nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Michael Mukasey, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, ish-ambasadori i SHBA në OKB, J. Kenneth Blackwell, ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, James Jones dhe një numër ish-kongresmenësh, ish-senatorësh dhe zyrtarësh të lartë ushtarakë.
Ata thonë se platforma e MEK bazohet në parimet e demokracisë dhe lirisë fetare dhe se presidentja e MEK, Maryam Rajavi ka ‘mbrojtur publikisht një Iran të lirë dhe demokratik përballë vrasjeve të regjimit, rrëmbimeve, akteve terroriste, bombardimeve dhe dezinformacioneve’.
“Ky grup i madh opozitar ndan parimet amerikane të të drejtave të njeriut dhe përfaqësimit demokratik,” thekson deklarata.
Ndërkohë një zëdhënës i MEK tha se fakti që Departamenti i Shtetit nuk u jep mbështetje, reflekton pavarësinë e kësaj lëvizje.
© SYRI.net