Lidhur me demarkacionin Kosova ka notën 4.96, ndryshe nga 5.07 që e kishte një vit më parë
Sukseset e fundit të populistëve në zgjedhje në Perëndim, kanë rritur frikën për destabilitet në Evropën postkomuniste dhe Euroazi, ka paralajmëruar në një raport të tij, monitoruesi i demokracisë Freedom House.
Raporti shënon edhe lëvizjet në vendet në tranzicion duke përmendur edhe Kosovën. Sipas Freedom House Kosova këtë vit ka lëvizur nga një regjim gjysmë autoritar i konsoliduar në një regjim tranzitor/hibrid.
“Kosova ka filluar nga pika më e ulët nga vendet e Ballkanit në anketën tonë dhe gjatë dekadës së kaluar ka bërë përparim drejt konsolidimit të shtetësisë dhe ndërtimit të institucioneve të veta”, ka thënë për REL, drejtori i projektit për Vendet në Tranzicion, i Freedom House, Nate Schenkkan.
“Por tash e tutje bëhet ende më vështirë”, paralajmëroi ai, duke shtuar se “qeveria e vendit dhe partitë politike duhet të rrisin llogaridhënien në çështjen e korrupsionit dhe ata duhet të marrin vendime të vështira politike, në çështjet siç janë përfaqësimi i pakicave dhe integrimi evropian”.
Në studimin e Freedom House mbi demokracinë në 29 vende ish komuniste nga Evropa qendrore deri në Azinë Qendrore, thuhet se Shqipëria ka notën 4.14, njësoj sikurse edhe vitin e kaluar. Kosova ka notën 4.96, ndryshe nga 5.07 që e kishte një vit më parë.
Në raport ndërkohë, Serbia është vlerësuar se ka arritur në pikën më të ulët të demokracisë që prej vitit 2003, pavarësisht se ka bërë përparim në negociatat për pranimin në BE
Gjetjet u bënë publike në raportin vjetor të grupit me seli në New York për Popujt në Tranzicion me nëntitullin “Premtimet e rreme të populizmit”.