Modeli ekonomik që ka ndjekur Shqipëria në këto tre dekada të tranzicionit ka rritur pabarazinë mes qytetarëve duke favorizuar një shpërndarje te të ardhurave që nuk është e bazuar në merita.
Fondacioni gjerman Friedrich Ebert publikoi një studim më përceptimet e publikut për mënyrën se si ka funksionuar sistemi ekonomik e shoqëror, i cili u punua nga espertët e njohur të Ekonomisë Selami Xhepa dhe Ardian Civici.
Për qëllim të studimit, u anketuan rreth 1200 qytetarë në të gjithë vendin, ku shumica e tyre me një përfaqësim prej 66% të totalit (2 në 3 banorë), janë përgjigjur se shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë. Po ashtu, 39% e tyre mendojnë se pasuria e krijuar nga të pasurit nuk është vënë me anë të punës së ndershme.
Shoqëria beson se rreziqet për rënien e standardit të mirëqenies janë sot më të larta nga ato të brezit të kaluar dhe se rreziqet për brezin e ardhshëm do të jenë edhe më të larta. Pra, rreziku i perceptuar vjen në rritje.
Shoqëria i mbështet fuqimisht proceset e integrimit të vendit dhe shumica (mbi 65%) vlerësojnë se efektet e marrëveshjeve të tregtisë së lirë kanë qenë me avantazhe pozitive. Por qytetarët vlerësojnë se, pavarësisht nga thellimi i proceseve të integrimit, politika lokale duhet gjithashtu të ketë kontroll mbi legjislacionin e vendit.
Ekonomistët Civici e Xhepa sugjerojnë se ndërhyrjet politike të synuara janë strukturuar përgjatë dy akseve:
–Së pari të ndërmerrën politika për kontrollin e proceseve që prodhojnë pabarazi dhe rritje ekonomike jopërfshirëse.
–Së dyti të ndërmerrem politika për korrektimin e rezultateve që krijohen nga shpërndarja ekonomike.
Ndërsa reformat e grupit të parë synojnë përmirësimin e qeverisjes ekonomike në mënyrë që rezultatet ekonomike të krijohen sipas proceseve të ndershme të ligjësive të tregut të lirë dhe konkurrues, reformat e grupit të dytë synojnë të krijojnë mekanizma të korrektimit të deformimeve që mund të manifestohen në shpërndarjen e së ardhurës kombëtare.
Prej kohësh në Shqipëri është hapur një debat për «modelin e ri ekonomik të zhvillimit», por deri më sot ky debat është kufizuar thjesht në aspektin sektorial të rritjes, një qasje që është kryesisht pozitiviste dhe që nënvizon përmirësimin e ritmeve të rritjes nëpërmjet alokimeve të burimeve në sektorë të caktuar (për shembull, eksportet).
Studimi i FES propozon një qasje tjetër në orientimin e debatit publik, atë mbi mënyrën se si mund të reformohet sistemi i sotëm ekonomik, në mënyrë që të jetë më i balancuar nga pikëpamja e interesave socialë, pra, një qasje normative.
Studimi bazohet në premisën e testuar si nëpërmjet një pyetësori të realizuar me mbështetjen e këtij projekti kërkimor, ashtu dhe nëpërmjet analizave empirike dhe teorike, se zhvillimi ekonomik i vendit ka krijuar diferenca të mëdha sociale dhe se një shoqëri harmonike dhe kohezive është thelbësore si për të rritur cilësinë e jetës në vend, ashtu dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e vetë sistemit ekonomik e shoqëror në afat të gjatë. /B.Hoxha/MONITOR