Fshati Presil i Komunës së Krushevës me dekada ballafaqohet me mungesë të kushteve infrastrukturore dhe shëndetësore

Gazetare: Melihate Rustemi

Fshati Presil i Komunës së Krushevës tashmë me dekada ballafaqohet me mungesë të kushteve infrastrukturore dhe shëndetësore. Banorët ankohen për diskriminim ndaj fshatit të tyre kur bëhet fjalë për realizimin e projektit të kanalizimit si dhe funksionimin e një ambulance shëndetësore.

“Këto asfaltet janë shtruar në kohën e Jugosllavisë, Tito-ja kur ishte. Mendoni se diskriminoheni, nuk punohet pse jeni shqiptarë? Puna tregon se diskriminohemi,puna tregon. Njeriu s’ka çfarë të tregoj asgjë ama puna tregon”, tha një banor.

Për banorët e fshatit, shqetësim më i madh është mungesa e kanalizimit. Zgjidhja e banorëve është derdhja e kanalizimit në përrua, që sipas tyre, dëmton shumë mjedisin jetësor.

“Nuk vijinë te ne, kryetari i komunës nuk ardh aspak të shoh se çka duhet, a duhet diçka të punohet. Ne po shohim shumë shtëpi të reja që po ndërtohen, si e rregullojinë kanalizimin? Ndërtohen, punohet. Kanalizimi derdhet në përrua, qelbet, aty derdhet krejt. Nuk ka mjek te ne këtu, asnjëherë nuk ka pas edhe nuk do të ketë. Shkojmë, kush në Prilep kush në Krushevë”, shtoi një banor.

“Mbeturina ka, kanalizim jo, ujin e ndalin. Te ne, siç e shihni, vetëm nga duhani jetohet, me tjetër gjë nuk jetohet. Ku derdhet kanalizimi I shpisë? Kanalizimi, siç e shihni derdhet në gropa ose jama, disa bëjnë gropa, disa e lëshojinë në përrua, shumë keg. Më keq se fshati jonë asnjë nuk e shohim, kushdo gë të jetë”, tha një banor.

Në pritje të investimeve nga komuna, banorët me iniciativë të tyre po mirëmbajnë rrugët, kanë ndërtuar fushë sporti dhe çezma uji.

“Komuna, jo ky kryetar, gjithë kryetarët që kanë kalu vetëm premtime kanë ënë, asgjë nuk është bë, hiç. Fshatit i nevojiten shumë punë që duhet ti bëj komuna. Kanalizim nuk kemi, asfaltim nuk kemi, rrugët i mirëmbajmë vet. Kemi bë vet investime, për momentin kemi bë çezmën, kemi bë fushën e sportit, vet investuam, do të kushtoj rreth 10 mijë euro, gjithë investim i fshatit”, u shpreh një banor.

U larguam nga fshati Presil i Komunës së Krushevës duke lënë banorët në kryerjen e obligimeve të përditshme me shpresë se një ditë edhe fshati I tyre do të plotësoj të gjitha kushtet për një jetë më të mirë. Pavarësisht tentimeve,nuk arritëm të kontaktojmë me drejtuesit e Komunës e Krushevës për të kuptuar se çfarë planifikohet të investohet në këtë fshat. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme