Me datë 24 mars 2017, “Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave KIPRED”, para mediave bëri shpalosjen e matjeve të opinionit publik kosovar të periudhës 15 nëntor 2016 deri me 15 shkurt 2017, për institucionet e sigurisë në vend dhe për drejtuesit kryesor të këtyre institucioneve.
“Sipas rezultateve të prezantuara edhe këtë radhë, për herë të pestë (5), FSK rezulton se është vlerësuar si institucioni më i besueshëm i sigurisë në Kosovë, me shkallën më të lartë 3.74. Kurse në vlerësimin e drejtuesve të institucioneve të sigurisë, ministri i MFSK-së zoti Haki Demolli është vlerësuar me shkallën më të lartë 2.88” thuhet në njoftimin e FSK përmes një komunikate për media, transmeton Indkesonline.
Sipas publikimit, Forca e Sigurisë së Kosovës besueshmërinë më të lartë, sipas rajoneve e ka nga qytetarët shqiptarë të veriut të vendit, përderisa ka ndryshime të shifrave në përqindje në rajonet tjera, që gjithashtu besueshmëria për FSK-në është e lartë.
Këto vlerësime janë pasqyrim i rezultateve të punës së palodhshme dhe të përkushtuar të të gjithë pjesëtarëve të FSK-së. Ky rezultat është edhe pasojë e menaxhimit dhe drejtimit shumë transparente të MFSK-së dhe FSK, në kryerjen e detyrave që dalin nga misioni aktual që kanë.
Sigurisht se këto vlerësimet të larta edhe më shumë e obligojnë FSK-në dhe MFSK-në, që edhe në të ardhmen të angazhohen edhe më shumë në realizimin e objektivave të planifikuar dhe kryerjen e detyrave të përgjithshme, që dalin nga Plani i Veprimit Vjetor të Punës.
Në takim, nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, morën pjesë, gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Departamentit të Operacioneve dhe Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, si dhe deputet e përfaqësues të institucioneve tjera të sigurisë.