Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), Fuat Oktay, tha se Türkiye është një nga elementët kryesorë të stabilitetit në Ballkan.

Delegacioni nga Parlamenti turk, i kryesuar nga Oktay zhvilloi vizitë në Shqipëri ndërkohë u prit në takim edhe nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Duke folur për AA-në pas takimit me kryediplomatin e Shqipërisë, Oktay tha se takimi me Hasanin ishte jashtëzakonisht produktiv.

Oktay deklaroi se presidenti Recep Tayyip Erdoğan vizitoi Shqipërinë dy herë brenda një viti dhe kryeministri shqiptar Edi Rama vizitoi Türkiyen, si dhe kjo tregon sipas tij se të dy vendet kanë marrëdhënie të forta.

Oktay u ndal edhe te problemet e vazhdueshme në Ballkan, duke theksuar: “Türkiye është një nga elementët kryesorë të stabilitetit në Ballkan. Marrëdhëniet e presidentit tonë me të gjithë kryetarët e shteteve në rajon janë një faktor shumë serioz në sigurimin e stabilitetit në rajon dhe në Ballkan. Ne po punojmë gjithashtu për ta çuar punën e vazhdueshme me qeveritë në një nivel tjetër në aspektin e diplomacisë parlamentare.”

Shkëmbim pikëpamjesh me Hasanin mbi ruajtjen e stabilitetit në Bosnjë e Hercegovinë

Oktay theksoi se gjatë takimit me Hasanin ata diskutuan edhe për dialogun Serbi-Kosovë dhe se shkëmbyen mendime edhe për ruajtjen e stabilitetit në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai shtoi se vëllimi tregtar Türkiye-Shqipëri ka arritur në 1 miliard dollarë, por objektivi i tyre është 2 miliardë dollarë dhe u bëri thirrje biznesmenëve turq të investojnë në Shqipëri.

Duke u shprehur se Xhamia historike e Et’hem Beut në Tiranë është një tregues konkret i lidhjeve familjare të Türkiyes me Shqipërinë, Oktay tha se turqit nuk ndihen si të huaj në Shqipëri dhe se turistët turq vizitojnë rajonin.

Vizita e delegacionit nga Parlamenti turk në Shqipëri

Gjatë vizitës në Shqipëri që filloi më 29 qershor, delegacioni nga Parlamenti turk u prit në takim edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, dhe nga kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Mimi Kodheli, dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni.

Delegacioni turk gjithashtu dje u takua edhe me përfaqësuesit e zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri dhe stafin e Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), ndërsa mori pjesë në darkën e punës të organizuar në Tiranë me biznesmenë turq dhe shqiptarë.

Pjesë e delegacionit të kryesuar nga ish-zëvendëspresidenti i Türkiyes, Oktay, ishin edhe anëtarët Ahmet Fethan Baykoç, Oğuz Üçüncü, Talih Özcan, İsmail Özdemir, Metin Ergun, si dhe zyrtarë të tjerë.