“Fucked-up” Kuvendi

Fatkeqësisht, i rëndësishëm dhe i tmerrshëm këtu është vetëm ky fakt, i cili, po, tingëllon kaq vrazhdë si në vijim: Shumica shqiptare e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e miratoi një rezolutë për lirimin e ish-kryeministrit të vet dhe një prej komandantëve më të shquar të luftës së shqiptarëve për liri. Pikë!

ISHA DUKE UDHËTUAR, të martën, në kohën kur Kuvendi i Kosovës po debatonte një rezolutë për lirimin e Ramush Haradinajt dhe po prisja vetëm lajmin e miratimit të saj. Nuk kisha mundësinë të përcillja fjalimet dhe, në njëfarë mënyre, ndieja një përparësi nga kursimi që ma kishte imponuar të qenët udhëtar. E rëndësishme në këtë rast ishte vetëm një gjë – një rezolutë e Kuvendit.

Në mbrëmje mësova se, megjithatë, Kuvendi dështoi.
Edhe një herë.
Sërish.
Nuk qesh fare i interesuar t’i mësoj arsyet e dështimit. Mjaftonte se prapë u dështua.
Edhe në këtë çast, teksa po i shkruaj këto radhë – n’daç besoni n’daç jo – me kryefortësi kam refuzuar t’i lexoj tekstet e rezolutave të paraqitura nga palët në Kuvend. Se, besoni, në këtë rast ato fare s’kanë rëndësi.

Fatkeqësisht, i rëndësishëm dhe i tmerrshëm këtu është vetëm ky fakt, i cili, po, tingëllon kaq vrazhdë si në vijim: Shumica shqiptare e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e miratoi një rezolutë për lirimin e ish-kryeministrit të vet dhe një prej komandantëve më të shquar të luftës së shqiptarëve për liri. Pikë!
Në këtë mes nuk i pengoi Serbia. As deputetët e komunitetit serb. I pengoi verbimi me pushtetin.
Nuk i pengoi as inati me Serbinë. As inati me deputetët e komuniteteve. I pengoi inati me njëri-tjetrin.

Dhe kjo rezolutë është nga ato që janë të dedikuara njëqind për qind për efekt të jashtëm. Për të çuar lajmin në botë. Për t’u dëgjuar zëri i protestës edhe nga organi më i lartë kushtetues i një vendi – se burgosja e Haradinajt me fletarrestim nga Serbia është, në fakt, akt i padrejtësisë dhe s’ka asgjë të bëjë me drejtësinë.
Por, ç’të themi kur përbërje më “fucked-up” (pardon my French) Kuvendi se kjo aktualja zor të kemi ndonjëherë.

ËSHTË KJO “fucked-up” përbërje Kuvendi e cila po planifikon t’ia dyfishojë vetvetes pagesat për mëditje. E njëjta e cila ka përmbushur vetëm një të tretën e planprogramit, të cilin vet legjislativi dhe komisionet parlamentare e kishin paraparë për zbatim gjatë vitit të kaluar.
A s’do të duhej ndoshta zvogëluar për tri herë edhe të ardhurat?!
Këta deputetë të Kuvendit të Kosovës, shumica prej të cilëve për vete kanë edhe dyshtetësi, kanë dështuar të gjejnë një zgjidhje edhe për kriterin e kërkuar për liberalizim vizash, demarkacionin me Malin e Zi, duke i lënë qytetarët nga taksat e të cilëve paguhen të jetojnë në geton e fundit në Evropë.

Këta deputetë të Kuvendit të Kosovës, një pjesë e të cilëve kanë qenë edhe pjesëmarrës të luftës, kanë dështuar ta kalojnë projektligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës.
Këta deputetë të Kuvendit të Kosovës, shumica e të cilëve jetojnë në kryeqytet, kanë dështuar ta kalojnë projektligjin për kryeqytetin.
Por, këta deputetë të Kuvendit të Kosovës, asnjëherë nuk kanë dështuar të iniciojnë mbajtjen e seancave patetike në rastet kur anëtarët e partive të tyre kanë pasur problem me organet e drejtësisë, duke harruar se bëhet fjalë për dy pushtete të ndara dhe me rezultat ekskluzivisht fitimin e poenave politikë gjatë paraqitjes në ekranet televizive.
Janë këta deputetë të Kuvendit të Kosovës, një pjesë e të cilëve u kujdesën për të na kujtuar se si në ditë të sotme mund të ketë njerëz me fakultet, të cilët as dinë të shkruajnë e as të lexojnë fjalët e veta në gjuhën e vet të nënës.

Dhe, gjithsesi, të mos harrojmë, janë këta deputetë që kanë ndikuar në pasurimin e fjalorit të qytetarëve të vendit me mënyra dhe shprehje origjinale e kreative të sharjes së kundërshtarëve.
Bile diçka prej tyre, apo jo?
Së këndejmi edhe kjo liri imja gjuhe për ta përdorur termin “fucked-up” për t’i përshkuar.

S’E DI A duhet të vijë dikush nga ndonjë shtet ose planet tjetër që deputetëve të Kuvendit të Kosovës t’ua zgjidhë problemet e Kosovës. Edhe nëse ka mospajtime dhe qëndrime të ndryshme, zgjidhjen duhet ta gjejnë vetë. Moszgjidhja e problemit, cilido qoftë ai, nuk e bën as Kosovën më të përparuar e as s’ua bën jetën më të mirë as qytetarëve të cilët i kanë votuar.
E Kosova ka një listë të gjatë të problemeve në pritje për t’u zgjidhur, më të gjatë sigurisht se secili vend tjetër i Evropës.
Qytetarët gjithsesi nuk i kanë votuar për shkak se në ta kanë vërejtur ndonjë veçim hyjnor. I ka votuar se iu ka besuar se të njëjtët meritojnë të paguhen nga taksat e tyre në mënyrë që t’u shërbejnë e t’iu zgjidhin problemet.

Por, ndoshta edhe e meritojnë t’u rriten mëditjet! Fundi i fundit, së paku ky grup prej 120 të zgjedhurish specialë të jetojë si duhet. Për 2 milionë qytetarët e tjerë ka kohë…
Pse a ka si bëhet më “fucked-up” a?!

P.S.: Vetë Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit në këtë legjislaturë Kuvendi. “Kem ka korritem krejt”, tha.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme