Funerali i Benediktit XVI do të jetë historik: Si do ta varrosë Vatikani, papën e parë të nderit?

Kur Papa Joseph Ratzinger Benedikti XVI njoftoi se do të tërhiqej nga detyra më 11 shkurt 2013 – Papa i parë që e bëri këtë në 600 vjet – ai e tha në latinisht, në prani të një grupi të vogël gazetarësh: “ Ad cognitionem certam perveni vires meas ingravescente aetate non iam aptas esse ad munus Petrinum aeque administrandum.”

Giovanna Chirri, korrespondentja e Vatikanit për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, filloi të dridhej kur dëgjoi njoftimin. Ajo nuk mund ta besonte atë që sapo kishte dëgjuar: “Kam arritur në bindjen se forca ime, për shkak të moshës sime të madhe, nuk është më e mjaftueshme për të ushtruar siç duhet shërbimin Papnor”.

 Njohja e latinishtes nga korrespondentja Chirri i dha asaj një ekskluzivitet botëror në lajmet që bëjnë histori. Ajo shënoi historinë e jetës së saj. Teologu gjerman Joseph Ratzinger po tërhiqej nga roli i tij si papë, një veprim sa i papritur aq edhe i padëgjuar.
Ratzinger jetoi dhjetë vjet të tjera në Manastirin Mater Ecclesia në Vatikan si Papa emeritus, shumicën e të cilëve i kaloi larg syve të publikut. Pas vdekjes së tij më 31 dhjetor, Kisha Katolike tani duhet të përballet me një situatë tjetër të paprecedentë: si ta varrosë një papë në pension?

Euronews ka intervistuar José Manuel Vidal, një anëtar spanjoll i Vatikanit dhe drejtor i “Religión Digital”, një platformë në internet që ofron lajme fetare në spanjisht, për të kuptuar më mirë çelësat e një funerali historik.

Çfarë mund të presim nga funerali i Benediktit XVI?

Kisha Katolike ndjek një protokoll të rreptë sa herë që një Papë vdes, duke çuar konklavën, mbledhjen e kardinalëve në Kapelën Sistine për të caktuar pasardhësin e tij.

Image

Është një “ngjarje spektakolare, si çdo gjë që bëhet në Romë, me një mjedis përrallor si Sheshi i Shën Pjetrit, në formën e një zemre, duke mirëpritur mbretër, presidentë, kryeministra dhe turma njerëzish në një mjedis të mrekullueshëm, ku përkujdesemi për çdo detaj”, shpjegon Vidal.

Funerali i fundit i një pape ishte ai i Gjon Palit II, më 2 prill 2005. Ai mblodhi së bashku rreth 300,000 njerëz rreth Sheshit të Shën Pjetrit.

Vidal thotë se imazhe të ngjashme mund të presim në lamtumirën e Benediktit XVI.

Sipas të dhënave të publikuara nga Xhandarmëria e Vatikanit të martën, më shumë se 60,000 pelegrinë i janë afruar tashmë Bazilikës së Shën Pjetrit ku ndodhet trupi i Ratzinger.

Si do të jetë ndryshe ky varrim, nga funerali i një pape në fuqi?

Në rastin e funeralit të Ratzingerit, ka dy gjëra për t’u marrë parasysh: e para, është se ai vdiq si papë – emeritus vërtet, por gjithmonë papë — por jo si kreu i shtetit të qytetit të Vatikanit.

“Nuk është një funeral shtetëror, sepse Papa që ka vdekur nuk është papa në fuqi dhe për këtë arsye nuk mund të jetë një funeral shtetëror,” thotë Vidal.

Faktori i dytë dallues është se një tjetër papë, Françesku — Papa në fuqi me të cilin Benedikti ndau titullin për dekadën e fundit të papatit të tij në pension — do të kryesojë funeralin për herë të parë në histori.

“Në rastin e Benediktit nuk ka asnjë vend të lirë, prandaj të gjithë kardinalët nuk thirren domosdoshmërisht në Romë”, shton Vidal. “Nuk ka mbledhje kardinalësh, nuk ka konklavë dhe, për rrjedhojë, ai që kryeson funeralin është Papa në fuqi”.

Kush do të marrë pjesë në ceremoni?

Zyrtarisht janë ftuar vetëm delegacionet italiane dhe gjermane.

Zëdhënësi i Vatikanit Matteo Burni ka saktësuar se “nëse vijnë krerët e tjerë të shteteve apo qeverive, do ta bëjnë këtë në cilësinë personale”.

Por Vidal beson se kjo nuk do të ndalojë shumë personalitete të tjera që të marrin pjesë në funeralin e Papës së parë në pension.

Ndër të pranishmit e konfirmuar janë edhe Presidenti i Polonisë Andrzej Duda; Mbreti Philippe i Belgjikës; Sofia, Nëna Mbretëreshë Spanjolle, e shoqëruar nga një grup prelatësh të lartë nga Konferenca Episkopale Spanjolle; Presidenti i Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa; dhe një delegacion nga Patriarkana Ortodokse e Kostandinopojës.

A ka dhënë ndonjë papë tjetër, dorëheqje, para Benediktit XVI?

“Pasi ekzaminova vazhdimisht ndërgjegjen time përpara Zotit, arrita në bindjen se forca ime, për shkak të moshës së shtyrë, nuk është më e përshtatshme për një ushtrim adekuat të ministrisë Petrine,” shpjegoi Ratzinger në deklaratën e vitit 2013 që njoftonte dorëheqjen e tij.

“Unë e di mirë se kjo shërbesë, për shkak të natyrës së saj thelbësore shpirtërore, duhet të kryhet jo vetëm me fjalë e me vepër, por edhe me lutje e vuajtje.

Njoftimi ishte i rrallë për Vatikanin.

Përpara Benediktit XVI, janë vetëm Celestini V, i cili dha dorëheqjen e famshme në 1294 – në të njëjtin vit të zgjedhjes së tij – dhe Gregori XII, i cili u largua nga ministria Petrine në 1415, në mes të njërës prej përçarjeve më të mëdha në Kishën Katolike.

Në përgjithësi, ne duhet të kthehemi më shumë se 600 vjet prapa për të gjetur një situatë të ngjashme me atë me të cilën përballet Vatikani tani – më shumë për të gjetur frymëzim për funeralin e Benediktit XVI, sipas Vidal.

Por ai nuk mendon se do të duhen shekuj për t’u përsëritur.

“Dorëheqja, siç bëri Papa Benedikti XVI, potencialisht do të bëhet një zakon, diçka që do ta bëjnë më shumë papë”, shpjegon Vidal. “Në fakt, Papa Françesku e ka paralajmëruar tashmë dorëheqjen e tij në rast pengesash serioze.”/ar.sh/SYRI.NET

Image

Image

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme