Tubimin nismëtar për referendumin e 30 shtatorit, Bashkimi Demokratik për Integrim do ta fillojë sot në Tetovë, ndërsa do ta përfundojë në Shkup.
Siç njoftojnë nga BDI-ja, tubimi do të mbahet në sallën sportive të shkollës së mesme të mjekësisë në Tetovë me fillim në ora 20:00.
“I ftojmë të gjithë qytetarët që të na bashkangjiten sot, por edhe në ditët në vijim, drejt realizimit të synimit tonë, integrimit euroatlantik”, citohet në njoftimin e partisë.
Përveç takimeve me qytetarët, strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim do të takojnë grupe të ndryshme interesi, botën akademike, shoqërinë civile, mediat si dhe do të vendosin dialog edhe me partitë e tjera.
“Vlerësojmë se referendumi i 30 shtatorit është përcaktim i qytetarëve për Bashkimin Evropian dhe për NATO. Duke marrë parasysh rëndësinë historike të 30 shtatorit ftojmë edhe opozitën në vend t’i bashkangjitet forcave progresive dhe të marrin pjesë me votë, për ose kundër të ardhmes euroatlantike të Maqedonisë”, citohet në njoftim.
BDI-ja shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë krerët e shteteve evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Bashkimi Demokratik për Integrim me vendim të kryesisë, të konfirmuar edhe nga Këshilli i përgjithshëm i partisë, ka zgjedhur Shtabin Qëndror për referendumin e 30 shtatorit me në krye doktor Atilla Rexhepin.
Shtabi Qëndror gjithashtu zgjodhi drejtuesit e 35 shtabeve komunale të cilët do i prijnë procesit të strukturimit të mëtejmë në degët respektive të Bashkimit Demokratik për Integrim.