Fytyra e re e terrorit në Afganistan/ Biden po largohet me vrap prej tyre

Të veshur me të bardha dhe me stetoskopë varur në qafë, tre të rinj ecën pa u shqetësuar përmes spitalit me 400 shtretër Sardar Mohammad Daud Khan në Kabul dhe u ngjitën në katet e sipërm.

Pastaj, jashtë ndërtesës që ndodhet përballë Ambasadës së SHBA, u dëgjua një shpërthim i fortë.

Zhurma, e shkaktuar nga shpërthimi i jelekut vetëvrasës i një shokut të tyre, ishte sinjali që treshja të nxirrte nga poshtë uniformave të mjekut granata e kallashnikovë e të hapte zjarr. Disa orë më pas, mbi 30 doktorë e pacientë të spitalit ishin vrarë dhe mbi 50 të tjerë ishin plagosur. Të vrarë mbetën edhe tre agresorët, të cilët u qëlluan nga forcat speciale afgane, përveç personit që shpërtheu bombën dhe një anëtari të pestë të bandës terroriste që shpërtheu një makinë brenda kompleksit të spitalit.

Image

Aksioni i tyre që u krye një pasdite marsi më 2017 u mor përsipër nga ISIS-K, degë lokale e rrjetit të njohur terrorist.

Themeluar më 2015, ndjekësit e tij synojnë vendosjen e kalifatit islamik në gjithë Khorasanin (prej nga edhe iniciali K), një rajon historik që mbulon Pakistanin dhe Afganistanin bashkë me pjesë të Azisë qendrore.

Grupi terrorist tashmë është aq kërcënues saqë frika e një sulmi nga ISIS-K por përdpret për të justifikuar refuzimin e SHBA për të vonuar tërheqjen nga aeroporti i Kabulit pas afatit të 31 gushtit të vendosur nga Joe Biden.

Në një deklaratë të martën në mbrëmje, Presidenti i SHBA tha: ‘Çdo ditë që qëndrojmë në terren është një tjetër ditë në të cilën e dimë që ISIS-K synon të godasë aeroportin e të sulmojë si forcat amerikane dhe aleate, ashtu edhe civilët e pafajshëm’.

Shtëpia e Bardhë duket se beson se ISIS-K (i cili i konsideron talibanët si liberalë të rrezikshëm) është duke organizuar një valë sulmesh për të destabilizuar përpjekjet e talibanëve për të formuar qeverinë.

Image

Nëse është kështu, atëherë trupat e huaja që aktualisht ruajnë aeroportin e Kabulit do të përbënin shënjestra të profilit të lartë.

Organizata i ka kryer tashmë rreth 100 sulme kundër objektivave civilë dhe 250 të tjera kundër shërbimeve të sigurisë amerikane, afgane apo pakistaneze, shumica të regjistruara në video makabre në celularë e më pas postuar gjithë entuziazëm në internet.

Një video që qarkulloi në qershor 2017 i bënte homazh punës së një grupi rekrutësh fëmijë të

ISIS-K, të njohur si ‘luanët e vegjël të kalifatit’.

Videoja tregon dy prej tyre – të veshur me të zeza dhe ndoshta nën 12 vjeç – teksa detyrojnë robër të tmerruar të gjunjëzohen.

Më pas vazhdojnë duke u tërhequr kokat pas të gjunjëzuarve (të akuzuar si spiunë), flasin para kameras dhe i ekzekutojnë me një plumb të vetëm në kafkë.

Kohët e fundit, në majin e këtij viti, ISIS-K vrau të paktën 68 afganë dhe plagois 165 të tjerë kur shpërtheu tri autobomba pranë një shkolle për vajza në Kabul.

Shumica dërrmuese e viktimave ishin nxënëse të vogla që grupi islamik i sheh si shënjestra legjitime për shkak të mëkatit që bëjnë duke shkuar në shkollë.

Sulmi, i cili erdhi pas një periudhe në të cilën sulmet ajrore perëndimore kishin vrarë mijëra përkrahës të grupit të terrorit dhe të paktën tre liderë të tij, shërbeu si një kujtesë e përgjakur për aftësinë e tij për të bërë masakër në rrugët e Afganistanit.

Image

Vetë fakti që një president i SHBA pranon se politika e tij drejtohet bazuar mbi kërcënimin e mundshëm nga ISIS-K përfaqëson një fitore të madhe për një organizatë deri tani me profil të ulët. Grupi doli për herë të parë në lajme në janar 2016 kur Pentagoni njoftoi se e kishte shpallur si organizatë të huaj terroriste.

Emiri i parë i organizatës ishte një ish-komandant taliban pakistanez i quajtur Hafiz Saeed Khan. Ushtarët e tij ishin kryesisht njerëz që kishin ikur nga talibanët, si për shembull shefi i marrëdhënieve me publikun, Sheikh Maqbool, i cili kishte detyrën që të tërhiqte vëmendjen e gjithë botës mbi sulmet e grupit.

Ata u emëruan me urdhër të kryetarit të atëhershëm të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi, i cili po haste vështirësi në Siri e Irak dhe nisi të financonte Khan, me synim krijimin e një fortese të re në Lindje.

Fillimisht aksionet e tyre ishin të kufizuara në shpërthime vetëvrasëse dhe sulme të vogla me armë kundër civilëve, përveç rrëmbimeve, por kaq mjaftoi të tërhiqte vëmendjen e SHBA që arriti ta vriste Khanin me një goditje me dron në korrik 2016.

Pasuesi i tij, Abdul Hasib, ideoi sulmin e lartpërmendur në spital, i cili fitoi famë për urdhrat që iu jepte luftëtarëve të tij që t’u prisnin kokat pleqve lokalë para familjeve të tyre, si dhe të rrëmbenin gratë e vajzat që ato të ‘martoheshin’ me ushtarët e tij, pra të bëheshin skllave seksi.

Ai u vra në një sulm tëç forcave ajrore në strehimin e tij, ku i vranë edhe dy ushtarë amerikanë, në prill 2017.

Po atë muaj, SHBA hodhi bombën më të madhe jo-bërthamore të arsenalit të saj – një GBU-43 Massive Ordnance Air Blast (MOAB), e njohur edhe si Nëna e të gjitha bombave – në një sistem shpellash e tunelesh të ISIS-K në provincën Nangarhar në Afganistan. Rreth 100 luftëtarë të grupit u vranë.

Image

Një seri goditjesh me dron më pas fshiu të dy pasuesit e Hasibit, Abu Sayed dhe Abu Saad Orakzai, dhe rreth 80 për qind të trupave të grupit, duke i reduktuar radhët nga 3-4 mijë në më pak se 800 përkrahës nga fundi i 2018.

Megjithatë, ashtu si shumë grupe militantësh në historinë e Afganistanit, ka qenë pothuajse e pamundur për t’i eliminuar plotësisht.

Vdekjet e njëpasnjëshme të liderëve nuk kanë pasur pasoja të rëndësishme, pasi janë zëvendësuar menjëherë nga homologë me eksperiencë të transferuar nga fortesa të tjera të ISIS.

Ushtarë të rinj janë rekrutuar përmes videove propagandistike që shfaqin aspiratat globale për të krijuar kalifatin islamik në gjithë Azinë, qeverisur me ligjet e Sherihatit, para ngritjes së flamurit të al-Uqabit në Jerusalem dhe Shtëpinë e Bardhë.

Lideri aktual i grupit mendohet se është Shahab al-Muhajir, i njohur edhe si Sanaullah, i cili është në krye që nga qershori 2020 sipas një raporti të OKB, publikuar në shkurt.

Ai përshkruhet si një lider ushtarak me përvojë dhe një nga luanët e ISIS-K në Kabul, i përfshirë në operacione guerile dhe planifikim sulmesh vetëvrasëse.

Ndërsa sundimi i Sanaullahut mund të jetë lajm i keq për afganët, aktualisht ai ka pak ose aspak mundësi të kryejë sulme terroriste në Perëndim. Fokusi i tij është të heqë Afganistanin dhe pjesë të tjera nga duart e ‘kryqtarëve’ që ‘konvertojnë myslimanët’, si dhe ‘renegatët e fesë’.

Kjo mund të shpjegojë pse Amerika nxiton të tërhiqet nga Kabuli: kur trupat amerikane të jenë larguar, nuk do të jenë më brenda rrezes së zjarrit të organizatës.

Për afganët që mbeten prapa, largimi nga regjimi i terrorit të ISIS-K nuk do të jetë aq e thjeshtë.

/Marrë nga DailyMail-Përgatiti: SYRI.net 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme